E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF e nis me “furtunë”, Tomori 4 javë pa tifozë

TIRANE-Federata Shqiptare e Futbollit e ka nisur me një furtunë të vërtetë sezonin e ri, përsa u përket dënimeve. Komisioni i Disiplinës ka dënuar dje me 4 ndeshje pa tifozë klubin e Tomorit.

Shkak për këtë është bërë hedhja e sendeve të forta në fushë në sfidën e së shtunës kundër Tiranës, gjë që çoi në ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes. Në fakt, edhe pse duket një vendim i rëndë, ai mbetet për t’u përshëndetur, pasi situata në Berat agravoi që në ndeshjen e parë të kampionatit, një gjë e rrallë kjo. E ndërkohë, futbollisti bardheblu Reinaldo Kalari është pezulluar për 5 ndeshje për shkak të sjelljes jo sportive ndaj një lojtari të Tomorit. Gjithashtu, ai është gjobitur edhe me 100 mijë lekë për këtë gjest.

Ndëshkimeve ndërkohë nuk u ka shpëtuar as Vllaznia, sërish për hedhje të sendeve të forta në fushë nga ana e tifozëve. Klubi shkodran është dënuar gjithashtu me zhvillimin e një ndeshjeje pa spektatorë. Edhe pse ishte java e parë e sezonit të ri, ajo i përfshi menjëherë nga incidentet, sidomos nga tifozët. Një tregues, se edhe ky edicion i Superligës pritet të mos shkëputet nga aktet e rënda të dhunës të ndodhura në vitet e fundit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›