E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet Javi Martinez te Bayerni

GJERMANI - Javi Martinez prezantohet zyrtarisht tek Bayern Munich. Ish lojtari i Athletic Bilbao, në konferencën për shtyp foli për herë të parë si lojtar i bavarezëve. Spanjolli, i cili zbarkoi në “Allianz Arena” për shumën e 40 milion eurove, duke përbërë dhe transferimin më të kushtueshëm në historinë e Bundesligës tha se ndihet i motivuar për të dhënë maksimumin për ekipin e tij të ri. Gjithashtu 23-vjecari pranoi se nuk ka preferenca për pozicionin që do të mbulojë në fushën e gjelbër.

“Situata e tanishme me kujton kur u transferova nga Osasuna tek Athletic Bilbao, ku këta të fundit paguan 6 milion euro për shërbimet e mija, në një kohë kur isha vetëm 17-vjeç. Ky nuk është një presion për mua por përkundrazi një motivacion për të bërë sa më mirë për këtë skuadër. Përsa i përket pozicionit tim në fushë nuk kam asnjë problem pasi do të luajë aty ku trajneri mendon se duhem edhe pse deri tani kam luajtur me shumë në mesfushë. Mund të them që jam i lumtur që u arrit marrëveshja dhe tashmë dua vetëm të stërvitem dhe të luaj.”

Së bashku me Javi Martinez, në konferencën për shtyp ishte dhe tekniku i gjigantëve gjermanë Jupp Heynckes, i cili pohoi se prej kohësh kishte vendosur në shënjestër talentin e ri, por 67-vjeçari nuk dha asnjë informacion se kur Martinez do të bëjë debutimin e tij të parë me fanelën e Bayern.

“Javi Martinez është një lojtar që kam dashur prej kohësh ta kem pjesë të ekipit tim. Jam i lumtur që më në fund kjo dëshirë e imja u plotësua edhe pse nuk ishte aspak e lehtë të bindje drejtuesit e klubit spanjoll apo dhe presidentin Josu Urrutia. Nuk e di se kur do të luajë për herë të parë, pasi sezoni i shkuar për të ishte mjaft i lodhshëm dhe për këtë aryse ka nevojë të qetësohet.”

Javi Martinez tek Bayern Munich do të veshë fanelën me numër 8, të njëjtin numër që mbante në një tjetër periudhë, një prej legjendave të bavarezëve Paul Breitner.

(er.nu/supersport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›