E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF "fshin" nga axhenda takimin Platini-Berisha

Altin Latifi 

TIRANE- Mishel Platini nuk do të ketë asnjë takim me Kryeministrin shqiptar Sali Berisha në vizitën e tij më 11 nëntor në Tiranë. Axhenda e francezit në tokën shqiptare, ndryshe nga ç'mendohej, nuk parashikon takim me numrin 1 të ekzekutivit. Në fakt, pas një lufte tre vjeçare mes shtetit dhe Federatës së Futbollit, kjo e fundit e ka fshirë fare nga lista këtë "ide". Zyrtarisht, FSHF bën të ditur se "një takim i tillë thjeshtë nuk është i domosdoshëm", por duket qartë se gjithçka lidhet me "luftën" që pati përfshirë palët deri në prillin e këtij viti dhe që çoi deri në pezullimin e Shqipërisë nga arena ndërkombëtare. Në rast se do të organizohej takimi do të ishte edhe kreu i FSHF-së Duka, të cilin Berisha e pati akuzuar disa herë hapur, por që në fund u detyrua t'i jepte pavarësinë e kërkuar prej kohësh. "Nga përfaqësuesit e shtetit, Platini do të ketë një takim me Pangon dhe më pas edhe me Presidentin Topi", bëri të ditur zyra e shtypit në FSHF. Megjithatë, deri pak ditë më parë, mendohej se kreu i futbollit europian do të zhvillonte edhe një takim me Berishën, duke qenë se UEFA i mëshon shumë bashkëpunimit me qeveritë.
Axhenda
Dje është konfirmuar edhe axhenda e plotë në Tiranë e Mishel Platini, presidentit aktual të UEFA-s. Ai do të mbërrijë në Shqipëri paraditen e 11 nëntorit dhe në fillim do të takojë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv e më pas ministrin aktual të sporteve Ylli Pango. Një takim që vjen vetëm pak muaj pas konfliktit të madh mes shtetit dhe futbollit, që çoi në pezullimin nga FIFA e UEFA. Platini do të zhvillojë një vizitë edhe në Krujë, ku do të inaugurojë një fushë të re sportive të këtij qyteti. Në mbrëmje, francezi do të pritet nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, i njohur për pasionin e tij për futbollin, por edhe për faktin se ishte një nga negociatorët për zgjidhjen e konfliktit në muajin prill. Mbrëmja e Platinisë do të jetë një darkë me gjithë anëtarët e Asamblesë së FSHF-së, e cila do të nisë punimet një ditë më pas. Ditën tjetër, kreu i futbollit europian do të mbajë edhe një fjalim përshëndetës në Asamblenë Vjetore, për t'u rikthyer më pas në Zyrih. Ardhja e Platinisë, përveçse një mbështetje për futbollin shqiptar, përkthehet edhe si një falënderim për zgjedhjet e vitit 2007 në UEFA.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›