FSHF revokon mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për president të FIFA-s

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër zyrtare sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, përmes së cilës e njofton për revokimin e mbështetjes së saj ndaj kandidaturës së Gianni Infantino për një mandat të ri katërvjeçar në postin e presidentit të FIFA-s.
Në letrën e firmosur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksohet se, pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e Gianni Infantino-s.
Ky vendim vjen në vijim të zhvillimeve të fundit në futbollin ndërkombëtar dhe qëndrimeve të shprehura nga federatat europiane lidhur me proceset e qeverisjes së FIFA-s.
Federata Shqiptare e Futbollit thekson se, mbetet e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me UEFA-n dhe partnerët e saj ndërkombëtarë për të mbështetur një qeverisje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës.
/gj.m/a.f/r.e/
