Mirlind Daku zyrtarisht te Spartaku i Moskës, transferimi 11 milionë euro

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, është zyrtarisht futbollist i Spartakut të Moskës, me të cilin ka firmosur një kontratë 3-vjeçare.
28-vjeçari largohet nga Rubin Kazan, ku në 93 ndeshje realizoi 38 gola dhe dha 10 asistime.
Sipas raportimeve të medieve, Spartaku i Moskës ka paguar rreth 11 milionë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar.
Në videon e prezantimit, Daku u shpreh se i pëlqen të shënojë gola dhe se tashmë synon ta bëjë këtë me fanellën e klubit të ri.
Sulmuesi shqiptar pritet të nisë stërvitjen me Spartakun e Moskës të premten.
Merkatoja e kësaj vere ka qenë aktive për futbollistët e Kombëtares shqiptare. Mario Mitaj është transferuar në Serie A te Genoa, ndërsa Nedim Bajrami u huazua te Al-Taawoun në Arabinë Saudite.
Edhe kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, pritet të vijojë karrierën në Arabinë Saudite, te skuadra e Al Diriyah.
/gj.m/a.f/r.e/