E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF, takim me klubet e Kategorisë së Parë për licencimin e sezonit 2026/2027

Federata e Futbollit zhvilloi një mbledhje informuese me klubet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë, në kuadër të procesit të licencimit për sezonin sportiv 2026/2027. Takimi, i organizuar në ambientet e FSHF-së, kishte si qëllim prezantimin e procedurave të licencimit, sqarimin e kritereve që duhet të përmbushin klubet, si dhe koordinimin e hapave që do të ndiqen gjatë këtij procesi.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e KF Korabi, KF Kastrioti, KF Iliria, KF Oriku, KF Sopoti, KF Kukësi, KS Burreli, KF Besa dhe KF Besëlidhja.

Takimi u drejtua nga Menaxheri i Licencimit në FSHF, Eduard Gjini, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar procesin e licencimit dhe rëndësinë e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të klubeve dhe rritjen e standardeve të futbollit shqiptar. Gjatë prezantimit u theksua se licencimi përbën një mekanizëm të rëndësishëm për përmirësimin e standardeve organizative, sportive, infrastrukturore, administrative, ligjore dhe financiare të klubeve, në përputhje me kërkesat e UEFA-s.

Përfaqësuesit e FSHF-së prezantuan kriteret kryesore të licencimit, duke u ndalur te aspektet sportive, infrastrukturore, administrative, ligjore dhe financiare. Në fokus ishte rëndësia e organizimit të strukturave sportive të klubeve, zhvillimi i ekipeve të moshave, garantimi i kushteve infrastrukturore për zhvillimin e ndeshjeve, funksionimi i strukturave administrative dhe mjekësore, si dhe respektimi i kërkesave ligjore dhe financiare të përcaktuara në rregulloren e licencimit.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe përdorimit të platformës SharePoint, e cila do të shërbejë për ngarkimin dhe administrimin e dokumentacionit të licencimit. Përfaqësuesit e klubeve u trajnuan mbi përdorimin e platformës dhe procedurat për dorëzimin e dokumenteve, me qëllim standardizimin dhe rritjen e efikasitetit të procesit.

Gjithashtu, klubet u informuan mbi rëndësinë e përditësimit të të dhënave dhe dokumentacionit në sistemin COMET, i cili mbetet një element kyç për administrimin dhe monitorimin e procesit të licencimit. FSHF kërkoi nga klubet të tregojnë vëmendje të veçantë ndaj përditësimit të profileve të tyre, saktësimit të strukturave përgjegjëse dhe respektimit të afateve të përcaktuara.

Gjatë mbledhjes u përcoll mesazhi se procesi i licencimit duhet të trajtohet si një prioritet institucional nga çdo klub, ndërsa përmbushja e kritereve kërkon planifikim, koordinim dhe angazhim të vazhdueshëm. Po ashtu, u nënvizua se FSHF do të vijojë të asistojë klubet gjatë gjithë procesit, ndërsa përgjegjësia për përmbushjen e kritereve mbetet te secili klub aplikues.

Takimi shërbeu si hapi i parë koordinues mes FSHF-së dhe klubeve të Kategorisë së Parë për sezonin 2026/2027, duke krijuar bazat për një proces licencimi sa më transparent, efikas dhe në përputhje me standardet e kërkuara. Në vijim, Administrata e Licencimit do të vazhdojë komunikimin me klubet për dokumentacionin, afatet dhe kërkesat përkatëse, ndërsa do të organizohen edhe takime të tjera sipas nevojave të secilit klub.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›