E Diel, 1 Nëntor 2026

FSK-ja i duhet NATO-s

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka deklaruar se NATO-ja dhe partnerët strategjikë të Kosovës kanë nevojë që FSK-ja të shndërrohet në ushtri. Sipas Selimit, Kosova është vonuar ta formojë ushtrinë.
“Për Kosovën dhe për paqen në Kosovë do të ishte shumë e shëndetshme që Kosova ta kishte ushtrinë e vet menjëherë pas përfundimit të luftës. Nëse jo atëherë, Kosova do të duhej ta kishte ushtrinë e saj në ditën e parë të shtetësisë në vitin 2008. E nëse edhe atëherë nuk u arrit kjo gjë, së paku sot FSK-ja duhet të shndërrohet në ushtrinë e Kosovës”, ka deklaruar Selimi

Selimi në këtë intervistë për “Epokën e re” i ka numëruar pesë arsye pse FSK-ja duhet të shndërrohet në ushtri të Kosovës.

“FSK-ja duhet të bëhet ushtri sepse Kosova është shtet dhe ushtria është një segment përbërës i çdo shteti funksional; Ushtria e Kosovës do të ishte partnere jetike për Praninë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), sidomos për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës; Përderisa Kosova pretendon me të drejtë të jetë anëtare e NATO-s atëherë kjo arrihet vetëm nëse Kosova e ka një ushtri e cila në ndërkohë ka arritur standard të ushtrive të NATO-s; Përderisa deri më tani Kosova ka konsumuar siguri, ajo vetëm me një ushtri të trajnuar dhe të pajisur mirë mund të prodhojë siguri për vete dhe për të tjerët; dhe një ushtri profesionale me standarde të NATO-s do të ishte në gjendje ta ndajë barrën me partnerët e saj strategjikë në misione të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Selimi.

Deputeti i Vetëvendosje!-s është shprehur kundër Projektligjit për Amnistinë, të cilin e ka vlerësuar të dëmshëm për Kosovën. Në këtë drejtim Selimi ka thënë se pret nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë kundër Projektligjit për Amnisinë. Po ashtu, Selimi ka thënë se këtë Projektligj do ta kundërshtojnë brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›