E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria detyrohet ta ndryshojë ligjin e azilit

Rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve nga Kosova të cilët përmes Beogradit po shkojnë në shtetin më të afërt të Schengen-it Hungari, ka bërë që ky shtet të detyrohet që të ndryshojë ligjin për azilkërkuesit. Nëse deri më tash kosovarëve atje u është dhënë statusi i azilantit prej nga kanë vazhduar që të qëndrojnë edhe për një kohë, tash e tutje shteti hungarez të gjithë azilkërkuesit do t’i vendosë në qendra të veçanta për azilantë deri në kthimin e tyre.

Zyra konsullore e Hungarisë në Prishtinë ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”se legjislacioni i ri i cili nuk do t’i trajtojë azilantët sikurse më herët, është futur në fuqi që nga 1 korriku i këtij viti.

Ata kanë treguar se vendimi për të ndryshuar ligjin është marrë pasi që kanë parë flusk të madh të azilkërkuesve nga Kosova sivjet, madje shumëfishim i numrit në muajt e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Duke u bazuar në rritjen e numrit të azilkërkuesve në vitin 2013 dhe shkallës së lartë të zhdukjes së tyre, janë bërë ndryshime në ligje për azil, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 korrik 2013” ka konfirmuar për gazetën Zyra konsullore e Hungarisë në Prishtinë.

4000 azilkërkues mbahen në Hungari

“Tani për tani ekziston mundësia ligjore për t’i dërguar azilkërkuesit në qendra të mbajtjes, që në fakt nuk është një mbajtje policore. Ndryshimet janë bërë duke u bazuar në standardet evropiane”, kanë bërë me dije autoritetet hungareze në Kosovë. Kjo zyrë ka konfirmuar numrin prej 4000 kosovarëve që aktualisht gjenden në qendrat e azilkërkuesve në këtë vend.

“Mund t’ju informojmë që rreth 4000 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për azil në Hungari në vitin 2013”, thuhet në një përgjigje të kthyer nga zyra e Ambasadës së Hungarisë në Kosovë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›