FUTBOLL – Pep Guardiola konfirmon largimin nga Manchester City në fund të sezonit

LONDËR, 22 maj /ATSH-DPA/ – Trajneri legjendar Pep Guardiola do të largohet nga Manchester City në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një periudhe 10-vjeçare që konsiderohet ndër më të suksesshmet në historinë e futbollit anglez.
Klubi njoftoi se ndeshja e së dielës në Premier League kundër Aston Villa do të jetë e fundit për 55-vjeçarin në stolin e “qytetarëve”.
Lajmi vjen pas disa ditësh spekulimesh intensive dhe shënon fundin e një epoke të jashtëzakonshme. Që nga emërimi i tij në vitin 2016, Guardiola ka fituar 20 trofe me Manchester Cityn, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe një trofe të UEFA Champions League.
“Mos më pyesni për arsyet pse po largohem. Nuk ka një arsye të veçantë, por thellë brenda meje e di se ka ardhur koha ime”, tha Guardiola në mesazhin e tij të lamtumirës.
“Kujtimet, njerëzit dhe dashuria për Manchester Cityn do të mbeten të përjetshme, duke e përshkruar qytetin si një vend të ndërtuar mbi punën, sakrificën dhe karakterin e fortë të banorëve të tij”, shtoi ai.
Kontrata e Guardiolës ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027, por ai ka rënë dakord të largohet një vit më herët. Favoriti për ta zëvendësuar është ish-ndihmësi i tij, Enzo Maresca, i cili u largua nga Chelsea në janar.
Para se të mbërrinte në Manchester, Guardiola kishte fituar dy herë Champions League dhe tre tituj të La Liga me FC Barcelona, si dhe tre tituj të Bundesliga me Bayern Munich.
Ndër arritjet më të mëdha të tij me Cityn renditen:
Tripleta historike e Premier League, FA Cup dhe Champions League në vitin 2023;
Tripleta vendase në vitin 2019;
Sezoni rekord me 100 pikë në Premier League në vitin 2018;
Tre trofe të FA Cup dhe pesë të EFL Cup.
Pas largimit nga pankina, Guardiola do të marrë rolin e ambasadorit global të City Football Group.
Në nder të kontributit të tij, tribuna e re veriore e stadiumit do të quhet “The Pep Guardiola Stand”, ndërsa klubi ka porositur edhe një statujë të trajnerit spanjoll.
Pronari i klubit, Sheikh Mansour, deklaroi se Guardiola ka lënë “një gjurmë të pashlyeshme në ADN-në e klubit”, duke e cilësuar atë si mishërimin e ambicies së Manchester Cityt për të pasur më të mirët brenda dhe jashtë fushës./ /Ad.Ab./ a.jor.