E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajon: Për vizat, shumëçka varet nga Prishtina

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Tanja Fajon, thotë se duhet gjetur një zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Në një intervistë për Radio Kosovë, Fajon ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të diskriminohen, por shumëçka varet nga autoritetet e Prishtinës.

Sipas saj, kërkohen përpjekje edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E pyetur se a ka rrezik që në muajt e ardhshëm, Kosova të mbetet i vetmi vend i rajonit jashtë liberalizimit të vizave, Fajon e ka pranuar se është e shqetësuar me faktin se Kosova është lënë jashtë këtij procesi. “Kërkesat që duhet plotësuar u janë propozuar gjithë banorëve, përfshirë edhe atyre me shtetësi serbe, pa përmendur ndonjë proces që mundësisht do të çonte në përmbushjen e këtyre kërkesave. E dimë se shtetet anëtare të BE-së aktualisht nuk pajtohen rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës, por mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova ta marrë udhëzuesin për vizat. Por më duhet të them se shumica e punës varet nga autoritetet e Kosovës, është në duart e politikanëve të përgjegjshëm në Kosovë që t’i angazhojnë të gjitha pjesët e shoqërisë në Kosovë për të punuar në rrugën drejt integrimit evropian. Kërkohen të bëhen shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mendoj se është shumë e domosdoshme që Kosova ta marrë shumë seriozisht angazhimin e vet kur bëhet fjalë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”.

Fajon është shprehur se njerëzit që jetojnë në Kosovë, me gjasë do të duhet të presin edhe më tej që të vijë koha për ta. “Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të interesuara, por edhe Parlamenti Evropian,janë duke e bërë më të mirën e tyre që ta përfshijnë Kosovën në dialogun e liberalizimit të vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. E di se ka disa çështje të hapura, do të ketë disa misione që do ta vizitojnë Kosovën në fillim të qershorit, është një Ligj për Riatdhesimin, i cili është shumë i rëndësishëm për momentin për Kosovën. Është e rëndësishme për autoritetet e Kosovës që të punojnë shumë dhe pastaj unë jam e sigurt se Komisioni Evropian dhe institucionet shumë shpejt do ta gjejnë një rrugë se si ta angazhojnë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Unë jam e bindur se Kosovës i duhet udhërrëfyesi për vizat dhe asaj i duhet dhënë mundësia t’i implementojë të njëjtat reforma që i kanë implementuar pesë shtetet tjera të rajonit. Natyrisht që kjo do të kontribuojë në sigurinë e saj por edhe të tërë rajonit dhe të BE-së. Atëherë kur Kosova t’i plotësojë këto kushte, që janë të gjata dhe shumë kërkuese, regjimi i vizave duhet të largohet”.

Tanja Fajon ka rikujtuar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk pajtohen rreth pavarësisë së Kosovës. Prandaj, sipas saj, është shumë e rëndësishme që të gjenden zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave.

Në këtë intervistë për Radio Kosovën, ajo thekson se nuk duhet të ketë diskriminim ndaj banorëve të Kosovës. “Është shumë e rëndësishme të dihet se rreth 3.5 milionë serbë që jetojnë jashtë Serbisë do të jenë në gjendje të marrin pasaportat e Serbisë, ndërsa banorët e Kosovës nuk do të mund të bëjnë njëjtë. Unë nuk pajtohem me gjëra të tilla. Mendoj se në këtë formë serbët e Kosovës do të inkurajohen që të rivendosen jashtë Kosovës, ashtu si ka filluar të ndodhë dhe kjo është në kundërthënie me objektivat e Bashkimit Evropian. Megjithatë, mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova të përfshihet sa më parë dhe autoritetet të punojnë në përmbushjen e detyrave të caktuara nga Bashkimi Evropian”.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën konsideron se për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, EULEX-i ka nevojë për bashkëpunimin e autoriteteve vendore, në synimin që Kosova të bëhet një shtet demokratik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›