“Faktet e paktit për kufijtë do të verifikohen në momentin e duhur”
Reagon Konsulli italian në Vlorë
Disa ditë më parë Ministri i Jashtëm Meta duke iu referuar marrëveshjes e sidomos pikës së diskutueshme 150 në kanalin e Otrantos, tha se çështja do të zgjidhet me marrëveshje trepalëshe, duke përfshirë kështu edhe Italinë. Këtë marrëveshje Italia e cilëson si një çështje mjaft delikate që duhet parë me kujdes. Konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi në një prononcim, deklaron se megjithëse është herët për të bërë komentet përfundimtare, faktet e paktit për kufijtë do të verifikohen në momentin e duhur.
“Marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë është një çështje dypalëshe. Në këtë fazë të kësaj marrëveshjeje është ende shpejt nga ana jonë, nga ana e shtetit italian, të bëjë komente për këtë argument mjaft delikat, i cili duhet të përballohet, vlerësohet dhe verifikohet në momentin e duhur”, shprehet Strozzi.
Lidhur me këtë marrëveshje Partia Socialiste ka dorëzuar një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se është shkelur ligji për sovranitetin territorial.