E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Në kontratën e privatizimit, Albpetrolit i ishte hequr ekskluziviteti i gazit

15-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i Financave, Ridvan Bode iu përgjigj dje akuzave të opozitës në Kuvend, lidhur me pretendimet se, kompanisë së naftës, Albpetrol iu dha e drejta ekskluzive e gazifikimit. Bode sqaroi se ky ndryshim lidhet direkt me gazsjellësin TAP, me qëllim dhënien e licencës për një operator tjetër, veç Albpetrolit që ta shpërndajë atë


Seanca e djeshme plenare u përfshi nga debate mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me të drejtën ekskluzive të kompanive për gazifikimin e Shqipërisë. Gjatë diskutimeve të projektligjit për “Për sektorin e gazit natyror”, socialistët akuzuan qeverinë se ka fryrë kompaninë “Albpetrol” me të drejta ekskluzive, përfshirë dhe një e drejtë për gazifikimin, në një kohë që, siç arsyeton opozita, kjo kompani nuk parashikonte gazifikim. Deputeti socialist, Erjon Braçe u shpreh se, në planet e biznesit të Albpetrol të 5 viteve të fundit, nuk parashikohej që kompania të ndërmerrte një investim për të gazifikuar Shqipërinë, apo për të ofruar shërbimin e transmetimit të gazit për ndonjë operator tjetër që nuk ekziston në Shqipëri. “Ju dha thjesht dhe vetëm për procesin e privatizimit, e frynë me të drejta sovrane të shtetit shqiptar, siç ishin të drejtat e ndarjes së prodhimit të marrëveshjeve të hidrokarbureve, që i takojnë shtetit shqiptar dhe ju dhanë në një ligj këtu në parlamentin e Shqipërisë, privatizuesit. E frynë duke grumbulluar pafund në Albpetrol sasi nafte, e frynë edhe duke i dhënë licenca ekskluzive, siç është kjo licenca e gazit. Tani ç’po bëjnë, tani që dështuan po kthehen mbrapsht. U kujtuan që kjo licenca ekskluzive që i kishin dhënë Albpetrolit, për transmetimin e gazit cenon një projekt edhe më të rëndësishëm siç është projekti TAP”- tha ai. Por i menjëhershëm ishte reagimi i kreut të Financave, Ridvan Bode i cili mohoi akuzat e opozitës, duke u shprehur se nuk i është dhënë ekskluzivitet për gazin “Albpetrol”-it, pasi ajo e ka pasur historikisht ekskluzive këtë të drejtë. “Licencën e gazit e ka patur, por jo ekskluzivitet, e ka patur historikisht, e ka patur ekskluzive dhe i është hequr në kontratën e privatizimit nga ekskluziviteti. Kjo është e vërteta e rasti sepse kemi qenë të bindur që ekskluziviteti nuk mund të jepej përderisa ne po prisnim ndërtimin e një linje ndërkombëtare të transmetimit të gazit të lëngshëm”- u shpreh Bode. Ministri i Financave sqaroi se licenca e gazit që iu dha Albpetrol nuk ishte ekskluzive, pasi qeveria ishte duke pritur vendimin për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline. Duke folur specifikisht për këtë çështje, gazsjellësin TAP, për të cilën informoi se dy ditë më parë është nënshkruar marrëveshja në Greqi mes tre shteteve, Bode tha se “për fatin tonë të mirë dhe me këmbënguljen e qeverisë shqiptare në projekt ekziston një dalje e gazit të lëngshëm, e vetmja në të gjithë trajektoren në territorin shqiptar që do të përdoret për furnizimin e Shqipërisë, por edhe të gjithë bregdetit lindor të Adriatikut”.


Miratohen me unanimitet ndryshimet në ligjin “Për sektorin e gazit natyror”/Pas debateve të ashpra, Kuvendi miratoi me unanimitet ndryshimet në ligjin “Për sektorin e gazit natyror”, përmes të cilit, liberalizohet tregu i gazit natyror në Shqipëri dhe hiqet e drejta e ekskluzivitetit të transmetimit të gazit vetëm nga kompania “Albpetrol”. Ndryshe nga qëndrimi i shprehur gjatë diskutimit, opozita bashkoi votat me mazhorancën, për miratimin e ndryshimeve ligjore. Liberalizimi i këtij tregu vjen në një kohë kur pritet vendimmarrja për projektin ndërkombëtar të gazsjellësit që do të transportojë gazin nga Azerbajxhani drejt Europës, bëjnë të ditur burime zyrtare të ministrisë së Ekonomisë. Ndryshimet ligjore i paraprijnë përgatitjeve infrastrukturore për shtrirjen e tubacioneve të gazit për 2 projekte kryesore që kalojnë në Shqipëri, TAP dhe IAP (projekti Jonian Adriatik). Nëse projekti TAP (Trans Adriatik Pipline) shpallet fitues për transportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës, në Shqipëri pritet të nisin punimet për ndërtimin e tubacioneve. Qeveria shqiptare, e interesuar direkt për këtë projekt, është angazhuar për të krijuar lehtësi në zbatimin e projektit, duke krijuar lehtësitë ligjore dhe infrastrukturore për projektin. Nga ana tjetër, kalimi i tubacioneve në Shqipëri rrit shanset për ndërtimin e gazsjellësit tjetër nga Shqipëria drejt Kroacisë, IAP, duke e kthyer vendin tonë në një vend strategjik për energjinë në rajon.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›