Faktori ndërkombëtar jep garanci për Kosovën: S`do ketë ndarje

Faktori ndërkombëtar në Kosovë ka siguruar autoritetet e Prishtinës se gjatë dialogut mes dy vendeve nuk do të ketë ndarje apo shkëmbime territoresh.
Ambasadori francez, Jean-Francois Fitou, thotë se Traktati i Elizesë i takon të kaluarës dhe më specifikisht Francës dhe Gjermanisë, ndërsa Kosovës i duhen marrëveshjet teknike dhe jo traktate pasi Kosova është e pavarur dhe sovrane.
"Nuk jam duke biseduar për ndonjë lloj traktati ose ndonjë marrëveshje specifike tani. Ne nuk na duhen traktate, na duhen marrëveshje teknike. Për kosovën lufta ka mbaruar, frika nga kërcënimi nuk është më këtu. Mos keni frike më për vendin, sovranitetin, jetën dhe territorin tuaj. Ne jemi këtu, ne përkrahim këtë dhe ju duhet te jeni të sigurt. Por çfarëdo normalizimi që do të ndodhë me Serbinë do të jetë një gjë e mirë, do të jetë mirë për të dy vendet"- tha Fitou.
Ndërkohë ambasadori gjerman në Kosovë tha se Serbia dhe Kosova duhet të marrin shembullin e Francës dhe Gjermanisë për të shuar armiqësite mes tyre.
"Dallimet apo ndarjet e mëdha që kanë qenë mes Gjermanisë dhe Francës dhe me gjitha ato humbje që kanë qenë dhe besoj se edhe Kosova dhe Serbia mund ta bëjnë një gjë të tillë, por edhe të gjitha vendet e botës. Me rëndësi është që të ketë gatishmëri politike për një gjë të tillë" –tha Kielser.