E Diel, 1 Nëntor 2026

“Faleminderit Malta!”Kundër “piratëve të Mesdheut”, Shqipëria arriti të regjistrojë fitoren e vetme në dhjetë ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror

Rrjetet sociale:

Në fakt, kjo duhet pohuar në versionin e gjuhës ishullore: “Thank you Malta!”. Për një argument fare të thjeshtë e kuptimplotë. Kundër “piratëve të Mesdheut”, Shqipëria arriti të regjistrojë fitoren e vetme në dhjetë ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror. Edhe ajo e arritur në “Qemal Stafa” dhe jo në “Ta’Qali”. Pikërisht një 3-0, me një gol të Erjon Bogdanit në limitin e pjesës së parë dhe dy gola të realizuar nga Klodian Duro e Armend Dallku në fundin e pjesës së dytë. Tre gola ndaj maltezëve, por vetëm në takimin e parë në Tiranë, pasi ai kthimit në La Valeta ishte i bardhë: 0-0, pikërisht ndaj skuadrës që në 10 ndeshje të sajat nuk shënoi qoftë edhe një gol të vetëm, duke pësuar 26 të tillë, ose dy herë më shumë se Shqipëria, që nga ana e saj pësoi 13 gola.

“Faleminderit Malta!”

Për një arsye, edhe pak paradoksale. Nëse nuk do të kishte skuadra të formatit Malta, Luksemburg, Andorrë, Lihtenshtejn apo dhe San Marino do të renditeshim gjithmonë të fundit në grup. Me gjashtë pikë më shumë se Malta (1 pikë) e vendit të fundit dhe nëntë pikë më pak se Hungaria (16), skuadra që u rendit sipër nesh, Shqipëria, vendi i 41-të në renditjen e UEFA-s (sipas pozicionit që ofron ranglista e përmuajshme e FIFA-s), nuk mund të ecë dot më lart. Tifozerisë kuqezezë - shpeshherë peng  kalkulimeve të vetë lojtarëve – nuk mund të pretendojë më shumë nga skuadra përfaqësuese, veçse të mjaftohet me fitoren e bujshme kundër maltezëve.

“Faleminderit Malta!”

Në fakt, Shqipëria, e pesë trajnerëve të fundit të huaj, qoftë kjo në versionin italian të Xhuzepe Dosens, gjerman të Hans-Peter Brigelit, holandez të Ari Hanit, kroat të Oto Bariçit e Josip Kuzhes, ka shkëlqyer atëherë kur kundërshtarët kanë qenë në ditën e tyre të zezë, duke përjashtuar disa ndeshje me të vërtetë historike të Kombëtares. Askush prej teknikëve të blerë (150-300 mijë euro “copa”) nuk e ka njohur me të vërtetë Shqipërinë futbollistike, pasi lista e lojtarëve ka qenë gjithmonë gati, përherë e përgatitur, e shpesh me futbollistë që nuk kanë qenë në kulmin e tyre, por në rënie. Dosena u largua pas humbjes me Rusinë 4-1, Brigel pas një “kurthi” në kontratën e propozuar nga FSHF-ja, Bariç pas “tradhtisë” me Rumaninë (6-1), Han pas gafave “dashamirëse” të mbrojtjes në humbjen 3-0 me Danimarkën. E ndoshta dhe kroati Josip Kuzhe, trajneri më shpejt i “shqiptarizuar” në epokën “Duka”, ka nisur të reflektojë jo pak pas dhuratave në humbjen 4-1 me Suedinë.

“Faleminderit Malta!”

Për fat të keq, pas fitores historike në miqësoren me Qipron (6-1) dhe amatorëve të kategorisë së shtatë gjermane, FC Hasloh (2-0), Kuzhe nuk e shijoi fitoren me Shqipërinë në një ndeshje zyrtare, pasi “Maltën” e kishte konsumuar Ari Hani. Përpara se të merrte në dorëzim Shqipërinë, Kuzheja kishte drejtuar Ruandën në Afrikë. Përpos ndonjë deklaratë kënaqësie të ditëve me diell në Shqipëri, gastronomisë shqiptare, Kuzhe patjetër do të ketë mbajtur shënime nëse ka parë ndeshjen e fundit të Kombëtares nën drejtimin e Oto Bariçit. Shpërfytyrimin e Shqipërisë në Bukuresht: 6-1, pikërisht në ndeshjen e 100-të të Bariçit si trajner i një skuadre kombëtare. Dhe në ndonjë bisedë konfidenciale me Bariçin në Zagreb, pas asaj të realizuar në Durrës pas ndeshjes me Portugalinë, patjetër që “bastexhiu” Kuzhe, do ta pyesë “Maksimalen”, se përse u shkërmoq skuadra e tij, të cilin për fat të keq Oto e ndoqi nga një lozhë e stadiumit të Bukureshtit, përpara se merrte urgjentisht rrugën drejt Kroacisë.

“Faleminderit Malta!”

Pas miqësores së humbur kundër Maqedonisë, në shkurt të vitit 2007, Shqipëria humbi edhe kapitenin (Tare) e zëvendëskapitenin (Hasi). Oto Bariç morri një vendim ekstrem, duke larguar dy titullarë me influencë e histori në përfaqësuese, madje duke mos ju bindur edhe ndonjë kërkese të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për rishqyrtimin e rastit. Si Oto Bariç ashtu dhe Tare e Hasi e dinë arsyen, se përse 75-vjeçari kroat, trajneri që ka në karrierën e tij të gjatë mbi 2000 ndeshja e 2000 lojtarë të drejtuar vendosi të largonte ata. Pasuesi i tij, holandezi Ari Han, që mesa duket e kishte marrë më shumë se një “shaka” të radhës drejtimin e përfaqësueses së Shqipërisë, nuk thirri disa lojtarë po kaq influentë sa Tare e Hasi, ndërkohë që Kuzheja, në më shumë se një rast e ka përsëritur se prej disa lojtarëve nuk pret këshilla, por vetëm futboll të luajtur në fushë. Edhe në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, një skuadër të formatit të Maltës do ta kemi në grup. Dhe sërish do të kemi fuqinë për ta lënë pas nesh...prandaj, “Faleminderit Malta!”

Numri i klikimeve - 254
  E Enjte, 15 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›