Faleminderit Partizan, mirënjohje fanellës së kuqe!"Ndeshja me Flamurtarin ishte e fundit me fanellën e kuqe, fanellë e cila do të mbetet e shenjtë për mua, jo vetëm sepse më rriti e më bëri ky që jam, por sepse e kam dashuruar shumë"

Nga Elis BAKAJ - Po u drejtohem të gjithë dashamirësve të Partizanit, lojtarëve dhe stafit teknik të skuadrës, veçanërisht tifozëve të panumërt të kuq, anembanë Shqipërisë, me shpresën dhe bindjen se do të ngelem në zemrat e tyre, pavarësisht se profesioni ynë, i futbollistit, na detyron të luajmë edhe për të tjerë. Sikurse dihet, unë kam nënshkruar një kontratë me Dinamon, kështu që, nga dita e parë e vitit që vjen, do të jem pjesë e saj.
Ndeshja me Flamurtarin ishte e fundit me fanellën e kuqe, fanellë e cila do të mbetet e shenjtë për mua, jo vetëm sepse më rriti e më bëri ky që jam, por sepse e kam dashuruar shumë. Tashmë rrugët tona ndahen, në kuptimin se do të vesh një fanellë tjetër, rasti do ta sjellë të jem kundër skuadrës sime të zemrës, dhe ky është profesionalizmi. Ngushëllimi i vetëm në këtë rast është se nuk jam i pari që e bëj këtë gjë, ndaj jam i sigurtë se kam mirëkuptimin e tërë “familjes së kuqe”.
Kur dola nga fusha e lojës, në ndeshjen me Flamurtarin, nuk i mbajta dot lotët. Më dukej sikur po hiqja diçka nga organet e trupit tim. Më shumë e ndjeva këtë kur u përshëndeta ngrohtësisht nga tifozët e kuq. Ata kanë qenë, janë dhe do të mbeten në zemrën time, pavarësisht se ku jeta dhe profesioni na përplas. Mbështetja e tyre ka qenë një faktor determinues, që unë të jem ky i sotmi. E dëshiroja shumë që të ndahesha kështu me Partizanin, me një fitore, me një gol.
M’u plotësua dëshira dhe për këtë falenderoj së pari shokët e skuadrës, që luajtën me shpirt dhe më ndihmuan t’i thoja në këtë mënyrë “lamtumirë” Partizanit. U mundova të jap maksimumin, meqë kjo ishte ndeshja e fundit e imja me Partizanin. Largohem nga kjo fanellë e shtrenjtë për mua me një peng të vetëm. Më vjen keq vetëm për një gjë, skuadrën duhej ta kisha lënë në një tjetër pozicion në renditje. Penalltia? E rëndësishme është që arrita të shënoj një gol, të cilin ua kushtoj tifozëve të Partizanit, për të cilët do të ruaj respektin maksimal. Rikthimi? Ashtu siç ika, ashtu edhe mund të vij. Të ardhmes nuk i dihet. Të kthehesh në “familjen” tënde, gjithmonë është diçka e shënuar. Megjithatë, tani duhet të mendoj vetëm për Dinamon, që besoi dhe këmbënguli për mua. Destinacioni im i ri? Dinamo, që është një ekip shumë i mirë, ndaj jo më kot e zgjodha. Shpresoj të jap maksimumin tim me fanellën blu, ashtu sikurse kam bërë kudo ku kam luajtur, që tek ekipet zinxhir dhe deri tek ekipi i parë i Partizanit.
Falë këtij të fundit kam arritur edhe në kombëtare, ku më pret fanella kuqezi, ndaj edhe ky fakt përbën një tjetër ngushëllim për mua. E kuqja, pra, nuk do të më mungojë, do të më kujtojë Partizanin, sa herë të luaj me kombëtaren. Fati i këtij Partizani? Kam shumë besim se do të shpëtojë, sepse, mesa kam marrë vesh, presidenti Xhani do të bëjë ndërhyrje në markato. Gjithsesi, edhe me këtë kontigjent lojtarësh që ka aktualisht, Partizani nuk e meriton vendin që ka.
Ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, shumë të bukura, por fatkeqësisht rezultatet kanë munguar. Them që në të ardhmen, me trajnerin Duro në krye, Partizani do të shpëtojë nga rënia nga kategoria. Sepse kështu fiton futbolli, fitojnë stadiumet shqiptare, të cilat mund të mbushen më shumë se nga askush, nga tifozët e kuq, që janë të panumërt, të zjarrtë e të mrekullueshëm. Ata do të mbeten në zemrën time.
E Diele, 28 Dhjetor 2008