Falen gjobat për ndërtimet pa leje, PS kërkon të votojë nismën! PD: E bëni për qëllime elektorale

Nga Olta Blaceri
Për më shumë se 3 orë, parlamenti u përfshi në debate të forta, deri edhe në fyerje personale mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, duke detyruar kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, të mbyllë seancën plenare pa miratuar asnjë prej pikave të parashikuara në rendin e ditës.
Debati i parë mes socialistëve dhe demokratëve u shkaktua nga tentativa e mazhorancës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar një projektligj që parashikon faljen e të gjitha gjobave të vendosura për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Partia Demokratike vuri në dukje se projektligji duhet t’u shpërndahet deputetëve para se të futet në procedurë, duke akuzuar ligjvënësit e mazhorancës se as nuk e kanë shkruar ligjin, por kanë firmosur në letër të bardhë.
Edhe pse nuk ka deputet që është kundër faljes së gjobave, mazhoranca dhe opozita kanë pasur këndvështrime të ndryshme për lëvizjen politike të PS-së.
“Nuk mund të jeni dot kundër kësaj nisme. Kur të njihesh me nismën, do të kuptosh që bëhet fjalë për një proces anulimi gjobash që shkon edhe përtej 2014-s,” tha Taulant Balla.
“Gjobat për ndërtime për strehim janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15/2022. Po ekzekutoni vendimin me dy vjet vonesë. I grabitët qytetarët me gjoba të padrejta. Gjobat e 2014-s janë parashkruar,” deklaroi Bardhi.
Numri dy i PD-së i ka akuzuar socialistët se, prej ditës që erdhën në pushtet, aplikuan gjoba dhe dënime me burg për qytetarët.
“A ishit ju që keni burgosur 38 mijë shqiptarë edhe për një 5-mijë lekësh të vjetra energji elektrike? Si do t’u jepni ju llogari atyre familjeve që njerëzit u kanë vrarë veten për shkak të burgut që i keni futur ju? Absolutisht jemi ne që kemi mbrojtur interesin publik të shqiptarëve. Jemi ne, PD dhe opozita, që ju kemi thënë që ditën e parë që ju ndërmorët një reprezalje ndaj shqiptarëve. Kjo që keni bërë ju kalon kufijtë e njerëzores dhe shkon drejt gjenocidit,” tha Flamur Noka.
Debati i dytë lindi pas replikës që deputetja e opozitës, Ina Zhupa, pati me socialistin Erion Braçe.
“Me thënë të drejtën, nga anët e mia, nga unë vi, fëmijët ne i trajtojmë me shumë respekt dhe i mbajmë mirë. Kur futen në çështje të të mëdhenjve, ne kemi një shprehje dhe themi: ‘O Erion, t’u rrit boja, sa shumë m** të ha goja,’” u shpreh Ina Zhupa.
Pas këtij momenti, të gjithë ministrat dhe deputetët e PS-së u larguan nga salla e Kuvendit në shenjë proteste, përfshi edhe ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila kishte interpelancën me deputeten Zhupa.
“Kushdo që fyen në këtë sallë duhet të marrë dënim! Seanca ndërpritet,” tha Elisa Spiropali.
Socialistët këmbëngulën që deputetja demokrate duhet t’i kërkojë ndjesë për fyerjen Erion Braçes, në mënyrë që parlamenti të vazhdojë punën normalisht. Dhe, për shkak se deputetja Zhupa refuzoi të kërkojë falje, socialistët tërhoqën të gjitha nismat e parashikuara në rendin e ditës, dhe mbledhja e parlamentit u mbyll pa asnjë produkt. / vizionplus.tv