E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja për të burgosurit e përjetshëm, mazhoranca: Diskutime të tjera

Nishani: Ekspertët, debate të gjata për faljen e kësaj kategorie

Përjashtimi i të burgosurve me burgim të përjetshëm nga e drejta e faljes do të diskutohet përsëri, edhe pse Ministria e Drejtësisë e ka përfshirë atë në projektligjin Për faljen, të sjellë tashmë në Kuvend. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, pranoi dje në Komisionin e Ligjeve se kjo pikë ka qenë mjaft e diskutueshme gjatë përgatitjes së draftit nga ekspertët. Nishani nuk përjashtoi as mundësinë e ndryshimit të kësaj pike në draftin e ministrisë. Në vijim të këtij qëndrimi është shprehur dhe kreu i qeverisë, Sali Berisha. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ai i ka kërkuar kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, që të diskutohet me opozitën kjo pikë dhe nëse arrihet marrëveshja, të ndryshohet Kodi Penal. Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me organizatat joqeveritare, të cilat kanë dhënë sugjerimet e tyre për projektligjin Për faljen.

Diskutimet

Mazhoranca pranon të negociojë nëse të dënuarit me burgim të përjetshëm duhet të kenë apo jo të drejtë për tu falur. Edhe pse drafti parashikon përjashtimin e tyre, pritet që mazhoranca dhe opozita të diskutojnë këtë pikë. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili ishte dje i pranishëm në Komisionin e Ligjeve së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, pohoi se është diskutuar gjerësisht për këtë pikë. Ka pasur një diskutim mes specialistëve për këtë çështje, por dhe në qeveri, para se të përcillej në Parlament. Ka një argument i cili lidhet me masën maksimale të dënimit që parashikon Kodi Penal yni që është 25 vjet. Nëse u referohemi praktikave të vendeve të tjera, mund të ketë dënime me 40, 50 apo 60 vjet. Nëse ne e falim dënimin me burgim të përjetshëm, masa minimale e dënimit të tij do të jetë 25 vjet, që do të thotë për krimin që ai mund të ketë kryer ne e kemi konsideruar si një masë të butë. Duke pasur parasysh dhe kontekstin shqiptar, mendojmë që aktualisht ne duhet të shkojmë drejt një politike të tillë që personat e dënuar me burgim të përjetshëm të mos përfitojnë nga ky ligj, - tha Nishani i pyetur nga deputeti i LSI-së, Nasip Naço, edhe pse nuk përjashtoi diskutimet. Ligjvënësi i LSI-së solli në vëmendje nenin 68 të Kodit Penal, ku thuhet se të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të marrin dhe lirim me kusht, nëse ata kryejnë 25 burg. Ndërkohë që gjatë prezantimit të djeshëm në Komisionin e Ligjeve të këtij drafti, Nishani iu kundërpërgjigj komenteve të bëra se po cenohet e drejta e Presidentit për faljen. Në projektin tonë, pa dyshim që nuk cenohet e drejta kushtetuese e Presidentit, por parashikohet që marrëdhënien mes pushtetit ekzekutiv dhe Presidentit në realizimin e procedurës ta bëjë ministri i Drejtësisë si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv në këtë komunikim me Presidentin, - tha Nishani. Sipas tij, dhënia e të drejtës së propozimit ministrit të Drejtësisë adresuar Presidentit të Republikës krijon transparencë dhe rrit ndërveprimin e institucioneve kushtetuese, por nga ana tjetër krijon të gjitha informacionet e nevojshme që duhet të ketë Presidenti për të ushtruar instrumentin e faljes. Një tjetër çështje diskutimi mes ekspertëve pas propozimeve të bëra dhe nga EURALIUS, Presidenca apo prokuroria, ka qenë dhe ajo e votimit të këtij ligji me shumicë të cilësuar. Ministri sqaroi se ky pretendim nuk qëndron, sepse projektligji nuk është një vendim organik dhe si i tillë, duhet të votohet me shumicë të thjeshtë dhe jo të cilësuar.

Berisha, urdhër Rusmalit: Me PS-në ndryshoni Kodin Penal

Kryeministri Sali Berisha i kërkon kreut të Komisionit të Ligjeve që të diskutojë gjerësisht me opozitën nëse duhet të përjashtohen ose jo nga falja të dënuarit me burgim të përjetshëm. Sipas tij, qeveria tashmë e ka dhënë mendimin e saj nëpërmjet draftit që ka mbërritur në Kuvend, duke e përjashtuar këtë kategori, por duke parë edhe modelet ndërkombëtare është e hapur për diskutim. Ky projektligj bie ndesh në një pikë me qëndrimin dhe opinionin e ekspertëve të vendit dhe kjo pikë është e përfshirjes ose jo në sistemin e faljes të atyre që kanë marrë dënim të përjetshëm. Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, i cili pas dënimit për jetë ka dënim të dytë maksimal 25 vjet, natyrisht kjo nuk mund të bëhet. Por, në rast se Partia Socialiste, deputetët e Partisë Socialiste bien dakord që të ndryshojë Kodi Penal dhe afati i dënimit maksimal të jetë, jo 25 vjet, por të jetë - 61 e ka Britania e Madhe, 100 e ka Italia, 50 e kanë vende të tjera - atëherë ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes, por me kusht që të ndryshojë paraprakisht, sepse ata që janë dënuar për jetë, janë persona që kanë kryer krime ndër më të rëndat dhe më të rrezikshmet dhe drejtësia shqiptare meriton vlerësimin më të madh për ato dënime që ka dhënë, - sqaroi dje Berisha. Ai theksoi se qeveria e ka vendosur atë, por në doktrinën e së drejtës kjo pikë është e diskutueshme. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, sekretari, të bëjë një diskutim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, në rast se ata bien dakord, që ne të ndryshojmë Kodin Penal, të çojmë një tavan tjetër, gjë e cila për hir të vërtetës mund të bëhet, sepse nuk është se kjo tradita diktatoriale, e cila ka qenë ose ekzekutim, ose 25 vjet, hapësirë tani ne nuk kemi ekzekutim, kemi dënim përjetë, e kemi hequr dënimin me vdekje, kemi bërë shumë mirë. Por, mund të shihet në mënyrë që të qëndrojmë plotësisht në linjë me doktrinat, - tha Berisha.

Falja, OJQ: Të zgjerohet rrethi i propozuesve

Organizatat joqeveritare, por edhe Avokati i popullit dhe Dhoma e Avokatisë propozojnë që të zgjerohet edhe më tej rrethi i strukturave apo institucioneve që kanë të drejtë të kërkojnë faljen e të burgosurve. Propozimi është bërë dje gjatë seancës dëgjimore që Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar me këto grupe. Gjykojmë se në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje me anë një kërkese propozimi ministrin e Drejtësisë, duhet të jenë dhe ato autoritete që duhet të jenë më afër halleve të popullit dhe që njohim më nga afër gjendjen ekonomike shoqërore të të dënuarve. Të tillë mund të jenë kryetarët e bashkive dhe të komunave, deputetët, Avokati i Popullit, organizatat jofitimprurëse në mbrojtje të të drejtave të njeriut, - deklaroi dje Riza Poda, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit. Madje, sipas tij, edhe vetë Presidenti duhet të ketë të drejtën që të kërkojë pranë Ministrisë së Drejtësisë nisjen e procedurave për faljen e personave të caktuar. Edhe përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, iu bashkua këtij argumenti, ndërsa propozoi gjithashtu ngritjen edhe të një strukture të veçantë pranë Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e këtyre procedurave. Ai propozoi edhe përjashtimin e prokurorisë dhe të gjykatës nga institucioni i faljes. Elsa Ballauri, drejtore ekzekutive e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, i kushtoi një vëmendje të veçantë ngritjes së një strukture pranë Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa mbështeti dhe prioritetet që duhet të kenë disa kategori për tu falur si gratë, të moshuarit, të miturit apo të sëmurët. Por në çdo rast, - theksoi ajo, - nuk duhet të abuzohet, sepse krimi mbetet i tillë pavarësisht nga kush është kryer, në këtë drejtim, - shtoi Ballauri, - duhet ti kushtohet më shumë rëndësi shërbimeve ndaj këtyre personave në mënyrë që ata të vuajnë vetëm heqjen e lirisë dhe jo mungesën e shërbimeve. Edhe drejtorja ekzekutive e KSHH-së, Vjollca Meçaj, i mbështeti këto argumente, ndërsa kërkoi një përcaktim më të qartë të pozicionit të ministrit të Drejtësisë. Ajo shtoi se raporti i faljes është mes qytetarit dhe Presidentit, për këtë arsye kreu i shtetit duhet të japë edhe një përgjigje nëse nuk pranohet kërkesa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›