E Martë, 3 Nëntor 2026

Falsifikonin dokumente dhe akte noteriale në Tiranë, arrestohet bashkëpronari i firmës dhe punonjësi

3 persona janë arrestuar në Yzberisht të Tiranës pasi akuzohen se falsifikonin dokumente të ndryshme si certifikatë pronësi, akte noteriale, dokumente dhe leje qarkullimi. 

I gjithë procesi falsifikimit kryhej në një zyrë private në Yzberisht, ku në pranga ra bashkëpronari i firmës 53-vjeçari Ç. B., i dënuar më parë ndër të tjera dhe për kontrabandë dhe punonjësi i firmës A. R., 55 vjeç.

Sipas policisë rezulton se “Ç. B. dhe A. R., nëpërmjet vulave false të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, iu siguronin dokumente (leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore dhe dëshmi të aftësive profesionale) shtetasve të ndryshëm”.

Në pranga ra edhe F. Sh. i cili u kap në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie të falsifikuar.

Si pjesë të provave materiale policia sekuestroi 37 vula të falsifikuara të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, dokumente të paplotësuara që do përdoreshin për falsifikim dhe 210 shishe me verë të kontrabanduar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›