E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Deda ruan gjallë trashëgiminë folklorike në Lezhë, fëmijët këndojnë e luajnë me çifteli

Muzika folklorike është pjesë e jetës së familjes Deda në Ishull-Lezhë. Katër fëmijët e saj, të moshave 5, 10, 13 dhe 16  vjeç, luajnë në çifteli, sharki e tupan dhe këndojnë këngë të trevave veriore.

Pasioni për folklorin i ka shtyrë të përkushtohen ndaj këtij zhanri, edhe pse, siç rrëfejnë, fillimet nuk kanë qenë të lehta.

“Kam dy vite që merrem me muzikë folklorike, fillesat kanë qenë të vështira por duke parë arritjet që kemi marrë deri tani jam shumë kënaqur”, u shpreh Alfons Deda.

Për familjen, ruajtja e traditës është një nder i veçantë, pasi folklori është pjesë e identitetit të veriut. Fëmijët kanë marrë pjesë në shumë aktivitete dhe janë vlerësuar me çmime.

“Kemi marrë çmime të parë në Tiranë, në Fushë Arrëz, në Pukë, në Korçë”, tha  ai.

Fëmijët e familjes Deda janë pjesë e Ansamblit  “Art Besëlidhja” në Lezhë, ku shihen si talente të së ardhmes.

“Kanë mësuar tupanin dhe çiftelinë, të ruajnë traditën dhe janë shumë kërkues”, theksoi Llesh Prenga, Drejtues i Ansamblit “Art Besëlidhja”.

Muzika folklorike vazhdon të jetojë përmes brezave, dhe familja Deda është shembulli më i bukur se tradita mund të ruhet me dashuri, përkushtim dhe unitet familjar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›