E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta e minatorëve në Spaç – Dështon sërish takimi, asnjë marrëveshje mes palëve

Pas rreth gjashtë orësh pritjeje në kushte të vështira atmosferike, takimi i parashikuar mes minatorëve të Spaçit dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ka dështuar, duke mos arritur te gjendet zgjidhje.

Sipas përfaqësuesve të sindikatës, takimi dështoi për shkak të mungesës së përfaqësuesve të kompanisë koncesionare, si dhe “përçarjeve të shkaktuara nga persona të infiltruar” në mesin e minatorëve. Burime sindikale theksojnë se delegacioni i Ministrisë, ndonëse kishte ardhur për herë të parë në Spaç, “u kthye me më shumë pyetje sesa përgjigje”, duke lënë të hapur shqetësimin për mungesën e vullnetit institucional për dialog real.

Sipas tyre, formati i takimit nuk përputhej me kërkesat ligjore për dialog social dhe për trajtimin e një greve të ligjshme, çka solli ndërprerjen e procesit që në fazën paraprake.

Nga ana tjetër minatorët shprehen të vendosur për të vijuar rezistencën e tyre paqësore, përmes Komisionit të Grevës, Këshillit Sindikal të Minatorëve dhe me mbështetjen e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Ndërkohë, situata në Spaç teksa minatorët protestues janë shkarkuar të gjithë nga puna, ndërsa ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestën deri në një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për punonjësit.

Rreth 70 punonjës të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës kanë bojkotuar punën dhe janë ngritur në protestë prej 7 tetorit, duke kërkuar njohjen e sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive, kërkesa të cilët nuk janë pranuar nga Kompania Turke “Tete Albania” me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›