E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja Hana refuzon ndihmën e qeverisë

Share

Familja Hana refuzon të marrë ndihmën e qeverisë. Pas vdekjes së Xhevat Hanës, më 5 janar të këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi 1.5 milionë lekë qeverisë, e cila pas zvarritjeve të shumta, akordoi një shumë qesharake prej 80 mijë lekësh. Duket se shteti vijoi të përndjekë edhe pas vdekjes prokurorin, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në një spital në Itali, megjithëse kishte kontribuuar në sistemin e drejtësisë, pasi përfaqësonte akuzën në disa procese të rëndësishme, si Durrës-Kukës dhe Remzi Hoxha. Madje, më parë punonte si prokuror pranë akuzës qendrore.

Megjithatë, kërkesa e prokurorisë për shpërblimin e familjes së tij si shpenzime për kurimin dhe varrimin, është hedhur në kosh nga qeveria. Kjo e fundit akordoi shumën qesharake, duke mos dhënë asnjë informacion për arsyet.

Gazeta Shqip ka kontaktuar me familjen Hana për këtë vendim të qeverisë. Ata pohuan se shuma e akorduar nuk është fondi i kërkuar nga prokuroria, dhe kanë refuzuar të marrin këtë shumë, me argumentimin se veprimi i qeverisë është i turpshëm.

Ata sqarojnë se Xhevat Hana ka qëndruar në reanimacionin e spitalit civil Nënë Tereza, ndërsa në Itali ai ka qëndruar dhe ka mbyllur sytë në Spitalin Riuniti të Bergamos.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme pohon se do të luftojë për të fituar shpërblimin për familjen Hana. Sipas tyre, të gjitha faturat financiare që ka paguar familja për kurimin dhe varrimin të rimbursohen.

Zyrtarë të akuzës saktësojnë se kanë mbledhur disa fatura dhe së shpejti pritet që ti rikërkojnë Ministrisë së Financave shpërblimin për vdekjen e prokurorit Xhevat Hana. Krahas këtyre faturave, në dosje do të jenë edhe disa vendime të qeverisë për dhënien e shpërblimeve për familjet e zyrtarëve që kanë ndërruar jetë. Të gjithë precedentët do të përdoren nga akuza që familja e prokurorit të ndjerë të marrë shpërblimin e munguar nga qeveria.

Prokuroria Xhevat Hana ndërroi jetë më 5 janar të këtij viti, pas një lëngimi në spitalin Nënë Tereza dhe në spitalin Riuniti të Bergamos, në Itali. Gjatë ceremonisë së varrimit, Presidenti Topi, përfaqësues të opozitës dhe të fushës së drejtësisë kanë marrë pjesë në homazhe. Ndërsa, përfaqësues të mazhorancës kanë munguar në këtë ceremoni, duke vijuar që të përndjekin prokurorin edhe pas vdekjes./Shqip

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›