Familja e madhe – Në shoqërinë shqiptare vijon jetesa me tre breza së bashku

Pavarësisht ndryshimeve, koncepti i familjes së madhe në shoqërinë shqiptare vijon të ruhet ende. Duke iu referuar të dhënave të censit gjatë vitit të kaluar, rezultoi se mbi 80 përqind e popullsisë, jetojnë në familje të përbërë nga 3 breza.
Sipas sociologes Maria Dojçe, janë disa faktorë që sjellin këtë bashkëjetesë.
“Shkaku kryesor patjetër që është ekonomia, çiftet e reja nuk kanë ende një stabilitet ekonomik që mund të pavarësohen nga origjina e familjes. Gjejnë një rrugë të mesme duke ndarë hapësirat sëbashku dhe duke krijuar komoditete të sforcuara për të vazhduar jetën”, tha Dojçe.
Dojçe e vlerëson pozitivisht faktin e jetesës mes 3 brezave për rritjen e fëmijëve me dashurinë e gjyshërve, ndërsa në jetën e çiftit të ri thotë se sjell ndikim negative.
“Për edukimin e fëmijëve është e shëndetshme pasi për fëmijët është e nevojshme dashuria e gjyshërve, ose siç unë e quaj një dashuri ombrellë e cila i mbron dhe ka një strehë të ngrohtë. Ndërsa për çiftin e ri e shikoj pak problematike, konfliktuale pasi janë në pozicione që duhet të jenë vetë vendimmarrës“, tha sociologia.
Jetesa në familje të mëdha, vjen edhe si një traditë e trashëguar në shoqërinë tonë, prej të cilës është e vështirë shkëputja.
Gazetare: G. Sali
/rtsh.al/