Familjet në nevojë, Tabaku: Bashkia ka gati plan masash konkrete
Tiranë- Zv/kryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku ka lançuar sot analizat e projektit IPA-Adriati-Welfare Mix mbi bazën e të cilit, bashkia do të bëjë të mundur ngritjen e bazës kryesore për politikat dhe mënyrën se si do të zbatohen ato në të ardhmen [ër grupet e ndryshme sociale në nevojë.
Nga studimi identifikohet se 67% e rasteve të dhunës brenda familjes ndodhin në familjet e varfra. Për këtë arsye, target-grupi kryesor që do ketë mbështetjen e këtij projekti do të jenë pikërisht familjet e varfra, familje të cilat trajtohen nga Bashkia e Tiranës në një mënyrë ose në një tjetër, që nga grupi i familjeve të pastreha, të cilat në qytetin e Tiranës për nevojat që ka identifikohen në rreth 10% dhe ne i trajtojmë me të tre programet që Bashkia e Tiranës disponon, duke vazhduar deri me moshën e tretë dhe nevojat që kanë përsa i përket qendrave të këshillimit, me gratë subjekt i dhunës dhe trajtimin e tyre në dy qendra të ndryshme, duke vazhduar me orientimin në karrierë, nxitjen profesionale të gjithë atyre të cilët kanë nevojë të punësohen.
Bashkia dhe pushteti lokal për sa i përket arsimit ka vetëm identifikimin e nevojave në infrastrukturë, ndërkohë që për këtë drejtim ne do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit, në lidhje me rastet e ndryshme që mund të identifikohen dhe mënyrën se si mund të trajtohet secili prej këtyre rasteve dhe për kujdesin shëndetësor për grupet e veçanta, nëpërmjet dy komisionerëve në Bashkinë e Tiranës do të kemi një bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, një bashkëpunim i cili ka nisur tani dhe po trajtojmë raste pas rasti, veçanërisht mbështetjen në lidhje me komunitetin rom.
Studimi fokusohet tek një grup shumë i rëndësishëm për ne, që vetëm dy ditë më parë pati një mbështetje nëpërmjet ngritjes së njësive për trajtimin, qendrën e fëmijëve që do të ekzistojë në secilën prej 11 minibashkive, për fëmijët të cilët janë jashtë kujdesit prindëror, për fëmijët që janë subjekt i dhunës, për fëmijët të cilët detyrohen që të sigurojnë vetë kushtet e tyre të jetesës.
Një target – grup i veçantë, në momentin kur lindi ky projekt ideja kryesore ishte pikërisht për personat me aftësi të kufizuar. Në qytetin Tiranës janë rreth 0.6% persona me aftësi të kufizuar dhe ne duam dhe kemi mundësi që tu japim këtyre personave një mundësi punësimi. Për këtë arsye, do të fokusohemi në orientimin e tyre, në nxitjen e punësimit të tyre, në ofrimin e mundësive që këta persona mund të kenë për të krijuar një biznes dhe observatori që do të krijohet për këshillimin e biznesit dhe për suportin e bizneseve që do të fokusohet pikërisht edhe në ndihmën e këtij target -grupi,- u shpreh Tabaku.