Aplikoi për kartë identiteti në emër të krushkës, dënohet 73-vjeçarja
—-Nga Arisa Liço—-
Tiranë- Një 73-vjeçare nga Tropoja është dënuar nga gjyakata për falsifikim të vulave, stampave apo formularëve, pasi nga gjykimi rezultoi se kjo shtetase, kishte aplikuar për kartë identiteti në emër të krushkës së saj.
Në datën 17.04.2009, shtetasja Xh.Kurmekaj ka aplikuar për tu pajisur me kartë identiteti në Tropojë, ndërsa në datën 12.05.2010 përsëri ka aplikuar në Njësinë Bashkiakë nr.11, Tiranë, për tu pajisur me kartë identiteti në emër të shtetases Sh.Byberi. Nga rezultatet e krahasimit të gjurmëve të gishtave në të dy aplikimet, që rezulton se i përkasin vetë asaj.
E pyetur, Xh.Kurmekaj ka pranuar faktin se ka aplikuar në Tiranë, për kartë identiteti me të dhënat e shtetases Sh.Byberi, me të cilën ka marrëdhënie krushqie, pasi kjo e fundit për shkak të moshës së saj, nuk mund të paraqitej vetë dhe të aplikonte.
Ajo ka shpjeguar se ato kanë shkuar të dyja në Njësinë Bashkiake, me qëllim që Byberi të aplikonte për kartë identiteti, por meqenëse krushka ishte në moshë të vjetër, nuk mund të ngjitej në shkallët e gjendjes civile dhe të bëntë aplikimin. Prandaj, Byberi ka qendruar jashtë jashtë njësisë ndërsa, Kurmekaj ka shkuar dhe ka aplikuar me të dhënat e krushkës.
Por ndërkohë hetimet kanë zbuluar se krushka Byberi ka aplikuar për tu pajisur me kartë identiteti edhe në datën 12.01.2011.
Edhe vetë e pandehura e pranoi akuzën, duke pretenduar se, veprën penale e kishte kryer për të ndihmuar krushkën pasi, kjo e fundit nuk e kryente dot procedurën për shkak të moshës së thyer.
Gjykata me vendimin nr 27 dhënë më dt.18 janar 2013, vendosi të shpallë fajtore 73 vjeçaren Xh.Kurmekaj duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 18 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe e pandehur të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.