E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fantazma e konsensusit patriotik

Në dy dekada pluralizëm, konsensusi është shfaqur më shumë si fantazmë, sesa si realitet e mendësi për të kontribuar për vendin nga klasa politike shqiptare. Është shfaqur rrallë dhe në përgjithësi ka ardhur atëherë kur palët politike kanë gjetur forcën e mbinatyrshme për të dalë jashtë ullisë ideologjike të interesit të ngushtë partiak ditor. Nëpër fjalorë konsensusi shpjegohet si marrëveshje e përgjithshme, unanimitet mes palëve për të qenë në një mendje mbi një çështje. Akoma më rrallë janë shfaqur në një mendje palët politike në Shqipëri në 7 vitet e fundit, e në këtë periudhë me raste specifike të interesit të ngushtë politik, siç ishte marrëveshja e 21 prillit 2009, e cila erdhi si një surprizë çudibërëse, edhe pse jetëshkurtër, për nga unanimiteti në Parlament.
Konsensusi është element thelbësor për çdo sistem demokratik, pasi të shndërruarit e tij në mënyrë sjelljeje, mendimi e veprimi përcakton gjendjen shëndetësore të demokracisë në një vend. Konsensusi si rezultat i kulturës së dialogut politik është termi kyç, që lakohet më shumë për qeverisjen në Shqipëri. Ai është faktori i munguar që evidentohet në çdo raport vlerësues për ecurinë e vendit tonë.
Mungesa e këtij faktori ka mbajtur e mban pezull vendime të rëndësishme në këtë vend, siç është rasti i tre projektligjeve që ndodhen në Parlament, miratimi i të cilave paramendohet se do sjellë hapjen e dritës jeshile nga ana e 27 vendeve të Bashkimit Europian për t'i dhënë Shqipërisë, pas dy refuzimesh, statusin e vendit kandidat. Në fakt, duhet pranuar se arritja e konsensusit politik, pikërisht se është element i rrallë i demokracisë në Shqipëri, ka provokuar sistematikisht "zbutjen" e ndërkombëtarëve në raport me mbështetjen e pakushtëzuar ndaj vendit tonë, duke përdorur më shumë karotën se shkopin. E pse duhet të jetë ndryshe këtë herë?
Ndërkombëtarët janë aty, me frymën pezull, në pritje të konsensusit. Ankthi i kësaj pritjeje ishte mëse i lexueshëm në reagimet e ambasadorëve pas seancës së fundit të Parlamentit, me pritshmëri të lartë mesa duket për reflektim nga klasa jonë politike. Lodhja nga kjo situatë e zgjatur, kapërceu kufijtë e ngurtë diplomatikë: dikush nuk e fshehu zhgënjimin krejt legjitim për këtë konsensus të munguar, dikush tjetër mori rolin e edukatorit moralist dhe këshilloi rikthim tek leximi i librave, për të mbushur hendekët e boshllëkut në formimin personal të individëve.
Ndërsa presim me padurim një konsensus për "3 detyrat" e fundit në letër, që na ka lënë Brukseli, klasa jonë politike po shpalos pa konsensus nivelin e saj të patriotizmit publik. Kështu, ka një mungesë konsensusi të përgjithshëm për të festuar e për t'u krenuar së bashku për 100-vjetorin e shtetit tonë.
Kjo klasë politike, nga e cila pritet konsensus për reformat e integrimit, dukshëm e vullnetshëm është e ndarë në kremtime, pasi mungojnë festimet e përbashkëta. Po asistojmë e fatkeqësisht do vazhdojmë të asistojmë në aktivitete festive e përkujtimore të PD, të PS, të PDIU, të AK e kështu me radhë. Klasa politike ka përvetësuar edhe traditën emocionale të flamujve të varur në dritare e ballkone më 28 Nëntor, që ka ekzistuar gjithmonë në këtë vend, si një impuls i ndjeshmërisë individuale të qytetarëve të veçantë, e që ka ardhur duke u rritur ndër vite. Kjo traditë e grupeve të caktuara të shoqërisë u shndërrua shpejt në një lëvizje të dirigjuar, duke humbur në një farë mase emocionin që duhet të burojë spontanisht prej gjithsecilit. Festimet e ndara politikisht kanë përjashtuar qytetarin, veçanërisht atë 30 përqindëshin gri, që nuk interesohet për ngjyrat politike. Mosbërja publike e ceremonisë zyrtare të festimeve, e deri tek mospërfshirja e qytetarëve janë tipar i një tjetër konsensusi të munguar, që këtë herë i kapërcen kufijtë politikë, por arrin tek kufijtë socialë e moralë. Ndërsa mediat arrijnë të sjellin në mënyrë ekskluzive copa axhendash të festimeve, vëren se ato kanë në qendër dhe bëhen për autoritetet shtetërore e politike, që nga eventet festive e deri tek drekat e darkat. Qytetari si spektator duhet të vetorganizohet. Mund të organizoheshin festime e përkujtime të koordinuara në qytetet kryesore të vendit, që kanë pasur rol në procesin e pavarësimit të Shqipërisë, duke përfshirë qytetarë e duke i dhënë peshën e merituar çdo qyteti. Duket se "pelegrinazh" spontan do ketë në Vlorë, sepse është simboli i pavarësisë, e Tiranë, si kryeqyteti ku mund të prekësh historinë, që nga Meshari, deri tek Shpata e Përkrenarja e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, apo ekspozitat e ndryshme me karakter historik. Vetë partitë politike po organizojnë e zhvendosin në mënyrë të organizuar militantët respektivë për aktivitete të tyre me sfond patriotik. Pra, 100-vjetori i shtetit në vend që të bashkonte të gjithë shqiptarët rreth ngjyrave kuq e zi të flamurit të Ismail Qemalit, do i shohë shqiptarët, me tone ylberi, të rreshtuar nën ngjyrat e flamurëve partiakë. Mungesa e konsensusit për të qenë e festuar së bashku, pa problem radhën e uljes në podiumin e nderit, duket se është një tipar gjenetik që e trashëgojmë nga e kaluara. Librat historikë që po botohen me bollëk në këtë 100-vjetor janë të mbushur me shembuj të përçarjes së shqiptarëve ndër shekuj për interesa krejt të ngushta. Është impresionuese porosia e plakut të urtë Ismail Qemali, e përcjellë me telegram nga Vjena për patriotët, që prisnin lajme për mbështetjen e fuqive të mëdha për pavarësimin e Shqipërisë, i përcjellë në librin e gazetarit Fevziu "100 vjet". Në dy format e telegramit që Ismail bej Vlora nisi në Shqipëri, porosia insistuese e tij, që reflekton përçarje edhe për këtë akt jetik për vendin është e dukshme si në variantin e parë të telegramit " …Ju porosis qi tyke i u mbështetun fatit të atdheut të punoni bashkë si vllezën… edhe të ruani qetësinë….", ashtu edhe në atë të dytin "…I thirrni të gjithë. Gjersa të vij unë mbani qetësi e bashkim…".
Një shekull më pas, politika shqiptare që vazhdon ta ketë problem fiziologjik, më shumë se kulturor gjetjen e konsensusit, ka arritur të tërheqë në rrugën e vet qorre të përçarjes edhe historianët, elitën e mendjes, që duhet të ndriçojë të vërtetat historike të popullit e kombit tonë. Konfuci i famshëm thoshte se të nxënit pa menduar sjell injorancë, ndërsa të menduarit pa nxënë është e rrezikshme. Pra gabimet e paraardhësve nuk kanë pse të shihen me lupën e paragjykimit, por as të përdoren si referenca për të përkëdhelur egot e sëmura për pushtet. "Ajo që tashmë kemi në tryezë është për të tashmen dhe të ardhmen" tha para pak ditësh ambasadori Volfart dhe kjo duhet të jetë arsyeja jetike për konsensusin e tri ligjeve që presin në Parlament. Më shumë se "kapital politik", humbja e statusit të vendit kandidat, për faj të klasës politike (të të gjitha palëve) do jetë një shuplakë djegëse në fytyrën e çdo shqiptari, që prezanton veten dhe vendin në këtë 100-vjetor, para çdo të huaji, brenda e jashtë vendit.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›