E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skepticizmi i Brukselit

Në pritje të një takimi midis dy liderëve politikë dhe bashkëpunëtorëve të tyre të Tiranës zyrtare, për të arritur mirëkuptimin rreth votimit të vonuar të tri akteve ligjore, në radhën e prioriteteve të tjera në rrugën e integrimit europian, vëmendjen e opinionit tonë publik e tërhoqi edhe deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në kancelaritë e Bashkimit Europian, Stefani Sanino, i cili gjatë një takimi së fundmi me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Panariti, përsëri artikuloi qëndrimin e njohur të Brukselit se, miratimi i tri atyre akteve do të çelte dritën jeshile për akordimin e statusit. Vërtet që në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian, publikuar 10 tetorin e shkuar shprehej shpresa që nëse aktorët politikë parlamentarë në Shqipëri do të miratonin konsensualisht brenda nëntorit reformimin e Rregullores së Parlamentit dhe ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë si edhe të atij për administratën publike (të mbetura nga paketa e 12 rekomandimeve të kërkuara), atëherë do të shtoheshin mundësitë për dhënien shtetit tonë të statusit zyrtar të kandidatit për anëtarësim në BE. Mirëpo gjatë javëve të fundit nuk ka munguar të shprehet, gjithashtu nga zëra autoritarë, skepticizmi për akordimin e këtij statusi aty nga mesi i dhjetorit të ardhshëm prej Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.
Ky skepticizëm nuk kufizohet te përmbushja e shpresës së Komisionit Europian, por më së shumti te bashkëveprimi i ngushtë: miratim-zbatim, një gjuhë e përbashkët kjo, që nuk e ka frenuar Brukselin të bëjë të qartë se, për shembull, në kushtet kur ishte arritur miratimi i Kodit Elektoral dhe Shqipëria do të kishte përfituar statusin e shumëpritur (si hap i parë dhe i domosdoshëm për të çelur bisedimet e anëtarësimit), kjo nuk mund të ndodhte nëse në vendin tonë nuk do të zhvilloheshin gjatë vitit të ardhshëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pikërisht dyshimin nëse mund të organizohet nga Qeveria shqiptare një proces i tërë elektoral me standardet e kërkuara në botën demokratike, si edhe mungesën e vullnetit të saj për të luftuar ashpërsisht korrupsionin dhe krimin e organizuar, me tone të larta i theksoi pak javë më parë edhe ministri i Jashtëm i Holandës. Vetë ai, apo pasuesi i të cilit që nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Vendet e Ulëta, ndryshe nga çfarë thotë ministrja shqiptare e Integrimit, mund të ushtrojë të drejtën e vetos në këshillin vendimmarrës përkatës. Më tej, gjatë diskutimeve në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për ndryshimet e propozuara në një projekt-rezolutë ndaj Shqipërisë, Kryetari i Delegacionit të PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, nuk nguroi që përveç vënies së pikëpyetjeve mbi mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme dhe procesit të numërimit të tyre, t'u referohej dy amendamenteve që ia kishte shtuar vetë projekt-rezolutës: i pari, për ngjarjen e 21 janarit, duke ngritur zërin te rëndësia që ka për Shqipërinë dhe qytetarët e saj që kjo ngjarje të hetohet në mënyrë të duhur e të pavarur dhe që të fillojë një proces i besueshëm gjykimi; i dyti, për grevën e ish-të burgosurve politikë, gjatë së cilës dy prej tyre i vunë zjarrin vetes.
Le të mos vazhdojmë me deklarata të tjera, por në këto radhë nuk mund të mos e hedhim vështrimin te provat e shumta që kërkohen për vazhdimin e një lëvizjeje të gjerë në procesin ndërveprues rreth formimit të një ngrehine të përbashkët europiane, ku dëshirojnë të gjallojnë edhe shqiptarët. Ky dinamizëm, kryesisht politik nuk mund të mos sillte dhe të vijojë të sjellë ndryshime, apo pasoja në të drejtën e Bashkimit. Dhe, një prej vështirësive që hasen gjatë studimit të kësaj të drejte buron prej karakterit evolutiv që e karakterizon atë. Kështu, neni 2 i Traktatit të Bashkimit Europian i nënshkruar më 9 shkurt 1991 në Maastriht, me përmbajtjen që ka aktualisht, pra pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës (1 dhjetor 2009), gjithçka të këtij dinamizmi, të këtij evoluimi e shpjegon nëpërmjet vënies në dukje të vlerave që e tipizojnë Bashkimin Europian: "Unioni bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, të shtetit të së drejtës dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve". Ky përkufizim i vlerave themelore të Bashkimit Europian, të përvijuara që me deklaratën e miratuar nga Konferenca e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive më 14 dhjetor 1973 në Kopenhagen, prezanton qartë kriteret për krijimin e identitetit europian mbi bazën e tipareve të veçanta të shteteve anëtare, duke përthithur karakteristikat e përbashkëta të tyre. Nga një konceptim i tillë, respektimi i këtyre vlerave nuk mund të mos përbëjë edhe një nga kushtet për aderim në BE të Shteteve të tjera europiane ekstrakomunitare, përkatësisht gjatë procesit të zgjerimit të Unionit në vendet e Ballkanit Europian.
Vështruar nga kjo optikë, zhvillimet e ndërmarra në vendin tonë gjatë këtij viti për arritjen e objektivave të caktuara nga Brukseli zyrtar, tek e fundit paraqesin pa patur nevojën e përdorimit të lenteve një "progres të limituar", veçanërisht në zbatimin e drejtpërdrejtë të reformave të kërkuara. Ky konstatim është i vlefshëm edhe për tri aktet ligjore të mbetura, pavarësisht defekteve në formulimin dhe në mënyrën e njëanshme të hartimit të tyre. Kështu, për shembull, në një kohë që prej dy-tre muajsh reforma parlamentare mbetej në sirtarët e Kuvendit, opozitës i mohohej dhe komisionit hetimor, i refuzohej e drejta e kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes për trafiqet e jashtëligjshme të armatimeve dhe municioneve, për të cilat titullarët e kësaj ministrie kanë lënë gjurmë të qarta dhe të freskëta në shkresa e dokumente të ndryshme që nuk mbajnë siglën "sekret!". Njëherazi, një grupi ish-të burgosurish politikë, që nuk u kishte mbetur rrugë tjetër për zbatimin e ligjit për shpërblimet e tyre përveç grevës së urisë, Kryeministri u cenoi rëndë dinjitetin amanetet, duke ua rënduar gjendjen jo vetëm me epitetet më të ulëta në adresë të grevistëve, por edhe me mungesën e dialogut, çka çoi edhe në vetëflijim dhe tentativa vetëflijimi. Më tej akoma, ndërkohë që bëhet fjalë më shumë se sa kurrë për miratimin e Ligjit për Gjykatën e Lartë, si një nga rekomandimet e mbetura për t'u përmbushur, Kryeministri dhe deputetët e grupit të tij nuk pranojnë të zgjidhin në mënyrë demokratike një ngërç institucional, si ai i Qarkut të Fierit, duke refuzuar madje edhe vendimet gjyqësore të formës së prerë. Pa folur pastaj për atë që mbi kokat e shqiptarëve qëndron si një çengel kërcënues prej afro dy vitesh hetimi i cunguar dhe gjykimi i njëanshëm deri tani i ngjarjes tragjike të 21 majit, kur u qëllua me breshëri plumbash luftarakë nga brenda selisë së Kryeministrisë mbi protestues paqësor në bulevardin kryesor të Tiranës. Duke marrë parasysh se garantimit të vlerave që karakterizojnë Bashkimin Europian i shërben edhe Karta e të Drejtave Themelore të Unionit, e rëndësishme është të theksohet që për herë të parë në një dokument të tillë gjenden të bashkuara të drejtat civile dhe politike me ato ekonomike dhe sociale. Kështu, ekuilibri i arritur midis dy kategorive tradicionale të të drejtave të njeriut vlerësohet si përcaktues i atyre që konsiderohen vlera të përbashkëta të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Nëse efektet e respektimit të vlerave të tilla kanë qenë të ndjeshme që prej parashikimeve të nenit F/2 (tani neni 6) të Traktatit të Bashkimit Europian edhe jashtë juridiksionit të tij, veçanërisht tek ato shtete që shprehin dëshirën dhe vullnetin për t'iu bashkuar Unionit, tashmë respekti për të drejtat e njeriut, për demokraci dhe shtet të së drejtës përmblidhen në kushtet vendimtare për anëtarësim. Marrëveshja e arritur në këtë drejtim ndërmjet institucioneve të Bashkimit Europian dhe Shteteve Anëtare të tij bëhet edhe më e rëndësishme, përderisa mbështetet në dallimin midis të drejtave dhe parimeve. Të parat mund të ushtrohen drejtpërdrejt nga individët, ndërsa të dytat mund të përdoren nëpërmjet ndërmarrjes së masave që i vënë ato në zbatim. Dhe të mos harrojmë që pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian mbetet në fuqi juridike të njëjtë si e drejta parime.
Prandaj, prej kohësh ka lindur një pyetje bazike që i sjell në fokus të gjitha problemet e lindura dhe rastet e hasura në fushën e respektimit të vlerave themelore: Përse duhet pritur që Bashkimi Europian të merret me përjetësimin e demokracisë, me sundimin e shtetit të së drejtës dhe me respektimin e të drejtave të njeriut? Kjo pyetje afirmative është e lidhur më së shumti me perceptimin për Europën si kontinent i civilizimit të hershëm dhe i zhvilluar, ku ekziston një lidhje e organike midis institucioneve dhe midis institucioneve e qytetarëve. Ndaj pra, edhe të drejtat dhe kërkesat për mbrojtjen e vlerave themelore konsiderohen përgjithësisht si rrjedhojë e fuqisë rritëse të nivelit europian. Zhvillimi i lerave dhe mbrojtja e të drejtave implikojnë obligime. Dhe këto obligime qëndrojnë tradicionalisht mbi individët, qeveritë dhe shtetet. Në një nivel të tillë trajtimi, që ka shoqëruar dhe shoqëron ndërtimin e gjithë makinerisë institucionale të Bashkimit Europian ngrihen me sa duket pikëpyetjet e disa shteteve (jo vetëm Holandës) dhe personave zyrtarë, për dhënien në dhjetor Shqipërisë të statusit të shumë diskutueshëm. Në një nivel të tillë trajtimi bazohet me sa duket skepticizmi i Brukselit zyrtar. Sidoqoftë dhe pavarësisht zhvillimeve afatshkurtra, deri në dhjetorin e ardhshëm, ndoshta do të mjaftonte që për të shpjeguar lojën politike të aktorëve tanë politikë, të citonim ministrin danez të Punëve të Jashtme, i cili në fund të qershorit të këtij viti, kur po ia dorëzonte homologes qipriote stafetën e kryesimit të Këshillit të Bashkimin Europian, nuk la pa deklaruar që tani në Shqipëri "topi është në fushën e Qeverisë".

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›