Farah nuk tërhiqet nga konkurimi

Kampioni i katërfishtë olimpik Mo Farah thotë se karriera e tij e shkëlqyer në pistë ka mbaruar, por ai do të vrapojë në Maratonën e Londrës në tetor për të parë nëse mund të jetë ende konkurrues në rrugë. Farah ka fituar në Çikago dhe përfundoi i treti në Londër në 2018 – pasi kishte fituar dy medalje të arta në olimpiadën e 2012 dhe 2016 në 5,000 dhe 10,000 metra. Ai u kthye në pistë në vitin 2020, pasi synonte një finale olimpike, por ishte hija e vetvetes dhe nuk arriti të kualifikohej në Lojërat e Tokios. Gjërat nuk u përmirësuan këtë vit pasi ai u mund nga një vrapues klubi në rikthimin e tij në garë në 10,000 metra në Londër në maj.
Megjithatë, legjenda e garave të gjata, i lindur në Somali nuk është i gatshëm të mbyllë ende karrierën dhe do të testojë veten në Maratonën e Londrës më 2 tetor. “A kam ende uri dhe a jam i gatshëm të bëj ende kilometra? Po,” tha ai për Daily Mirror. “E kam ende sensin e konkurrencës brenda meje dhe derisa ta humbas nuk mendoj se duhet të tërhiqem. Por të jem realist përgjigjen përfundimtare do të ma japë trupi im. Unë jam duke bërë seanca stërvitore që njerëzit normalë nuk mund t’i bëjnë”. Farah është i bindur se kur vjen puna për të dalë në pension, do të jetë vetëm ai që do të vendosë. “Ai vendim mund të vijë vetëm nga unë, jo nga menaxheri im, as nga gruaja ime apo nga fëmijët e mi”, tha ai. “Se kur do të jetë ajo kohë, as vetë nuk e di”.