E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tirana mirëpret UEFA Futsal Champions League

Tirana, kampionia e Shqipërisë në futbollin e sallës, të enjten ka mësuar dhe kundërshtarët e saj për raundin paraeleminator në Ligën e Kampioneve. Një raund, i cili do të luhet më 23-28 gusht dhe me sistem grumbullimi, ndërsa Tirana, ashtu sikurse vitin e kaluar, do të jetë organizatore e këtij aktiviteti në sallën olimpike “Feti Borova”. Pas tërheqjes së shortit, ndërsa janë 8 grupe me nga katër skuadra në raundin paraeleminator, Tirana ndodhet në grupin G.

Bardheblutë e Artur Angonit do të kenë për kundërshtar Diferdonzh të Luksemburgut, Apoel të Qipros dhe Belfast Junajted të Irlandës së Veriut. Me Diferdonzh, Tirana luajti sezonin e kaluar dhe fitoi 4-2. Po kështu ka luajtur dhe me kampionët e Irlandës së Veriut në sezonin 2018-2019 dhe ka fituar 5-4. Dhe me të vetmen që nuk është ndeshur Tirana është kampionia e Qipros, Apoel.

Fituesja e këtij grupi në raundin e dytë, apo Main Raund, shkon në grupin 5 të nivelit B me Mostar të Bosnje-Hercegovinës, Araz Niçivan të Azerbajxhanit dhe fituesen e grupit D të raundit paraeleminator, atje ku ndodhen Futsal Minerva e Zvicrës, Loznica-Grad 2018 e Serbisë dhe Vesteralen Futsal e Norvegjisë. Ky raund zhvillohet më 25-30 tetor, ndërsa Tirana, edhe duke luajtur në shtëpi, shpreson ta kalojë raundin paraeliminator të UEFA FUTSAL CHAMPIONS LEAGUE.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›