E Diel, 1 Nëntor 2026

Farudin Hoxha: Shkupi të mbyllë urgjentisht portat e Drinit

TIRANE- Në këtë katastrofë që po i ndodh Shqipërisë nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shumta të shiut, mund të ndihmojë edhe Maqedonia. Ajo duhet të lëshojë sa më pak ujë në lumin Drin nga liqeni i Ohrit tek diga mbi liqen, në qytetin e Strugës”. Kështu ka deklaruar dje profesor Farudin Hoxha, projektuesi i digave të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin. I pyetur me telefon për "Gazeta Shqiptare", Hoxha pohoi se Maqedonia duhet që me urgjencë të ndihmojë Shqipërinë. Në Institutin e liqenit të Ohrit thonë se, me 15 m3 në sekondë, liqeni i Ohrit do të ngrihet vetëm 1 metër lartësi dhe do të pakësohen ujërat që vijnë nga Drini Zi mbi Fierzë me 35 milionë metra kub ujë. Derdhja e ujit në lumin Drini i Zi në qytetin e Strugës, thonë specialistët e Institutit të liqenit, shkon 7 m3 në sekondë, e cila është e barabartë me sasinë e ujit që hyn nga lumi Drin. Ndërkohë, Prof. Farudin Hoxha theksoi se, qeveria shqiptare duhet të mbledhë me urgjencë komitetin bilateral me shtetin maqedonas që të ndalojë derdhjen e ujërave nga liqeni i Ohrit në Drinin e Zi, i cili mbërrin në Fierzë. është një marrëveshje dypalëshe midis dy shteteve që nga viti 1956 për disiplinimin dhe menaxhimin e ujërave. Edhe pse Shqipëria ndodhet para një situate dramatike, pala maqedonase çuditërisht nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv. Nëse Maqedonia do realisht që të ndihmojë fqinjët e saj, duhet të mbyllë portat në Strugë që ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në Fierzë.(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›