Fatahu palestinez: Komitet të përbashkët për drejtuar Gazën e pasluftës

Një anëtar i grupit palestinez Fatah është shprehur optimist lidhur me bisedimet në vazhdim me Hamasin për të formuar një komitet të përbashkët për të drejtuar Rripin e Gazës pas luftës brutale të Izraelit në enklavë.
Nga ana tjetër, Egjipti priti bisedimet midis dy grupeve palestineze të shtunën për të diskutuar formimin e një komiteti të përbashkët për të drejtuar Gazën e pasluftës.
“Takimi synon të unifikojë vizionet për rindërtimin e Gazës dhe situatën në enklavë pas përfundimit të agresionit izraelit”, tha Taysir Nasrallah, një anëtar i Këshillit Revolucionar të Fatahut.
Ai shprehu shpresën se një “formulë konsensusi” do të shpallet pas bisedimeve të dielën vonë.
“Tendenca e përgjithshme shkon për rindërtimin e enklavës, ofrimin e ndihmës dhe menaxhimin e territorit në koordinim mes dy grupeve, nën kujdesin e Autoritetit Palestinez”, tha ai.
Pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vijuar ofensivën shkatërruese në Gazë që nga sulmi i vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze.
Më shumë se 43,300 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 102,100 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për sulmet e tij në Gazë.
/rtsh.al/