E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati i Berishës dhe Ramës vendoset me 23 qershor të 2013-ës

Pas takimeve që Presidenti Bujar Nishani zhvilloi dje me partitë parlamentare duket se do të jetë data 23 qershor e vitit 2013 data e zgjedhjeve parlamentare. Ashtu siç e kishte njoftuar prej dy javësh, mëngjesin e djeshëm Bujar Nishani nisi konsultimet me partitë parlamentare për të zgjedhur mes 23 dhe 30 qershorit, datën kur do të zhvillohen zgjedhjet e 2013-ës. Pa rezerva, në unison 6 partitë parlamentare janë shprehur pro datës së parë.
Takimet
Ishte OSBE-ODIHR që pati kërkuar që zgjedhjet të zhvilloheshin në 23 qershor, pasi për shkak të aktiviteteve paralele, e ka të vështirë të dërgojë vëzhguesit e saj në Shqipëri në fund të muajit. Kjo kërkesë është mirëpritur nga demokratët, të cilët nuk u paraqitën në takim me ndonjë preferencë konkrete kohore. Ndryshe nga mazhoranca, kreu u i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, ka qenë i prerë për 23 qershorin duke kërkuar nga Presidenti që të nxjerrë sa më shpejt dekretin për të nisur përgatitjet e zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe Lefter Koka i LSI-së, Fatmir Mediu i PR-së, Shpëtim Idrizi i PDIU-së dhe përfaqësia e PBDNJ-së.
Kush do fitojë?
Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme si për liderin e opozitës Edi Rama, por edhe për kryeministrin Berisha. Qeveria e këtij të fundit është akuzuar shpesh kohët e fundit nga opozita për korrupsion, ndërsa kryeministri kërkon të fitojë dhe një mandat të tretë, jo vetëm për të treguar që akuzat e opozitës janë demagogji, por edhe për të hyrë në histori si një kryeministër që merr tre mandate radhazi. Por këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për Edi Ramën, madje për liderin e opozitës zgjedhjet e 2013-ës do të shënojnë të ardhmen e tij politike. Pasi nëse nuk fiton dhe këtë herë Edi Rama duket se do ti japë lamtumirë politikës, sepse socialistët nuk do të pranonin me asnjë lloj kushti që të kalonin edhe katër vite të tjera në opozitë.

Kodi zgjedhor
Sipas Kodit Zgjedhor, presidenti dekreton datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj nga shpërndarja e Parlamentit në shtator.  Po sipas Kodit, presidenti ka hapësirë të zgjedhë mes të dielës së 23 qershor dhe asaj të 30 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›