Fati i Lumit Jordan
Gjatë udhëtimit në Lindjen e Mesme, Papa Benedikti vizitoi edhe bregun lindor të lumit Jordan. Shumë besimtarë të krishterë e kosiderojnë të shenjtë ujin e këtij lumi dhe zhvillojnë pelegrinazhe atje. Lumi Jordan kalon përmes Jordanisë, Izraelit dhe territoreve të pushtuara. Por, ndërsa disa e konsiderojnë ujin e këtij lumi si të shenjtë, ambjentalistët thonë se lumi po shkatërrohet nga thatësirat e vazhdueshme, përdorimi i ujëra që derdhen atje për ujitjen e tokës si dhe ndotja e ambjentit.
Për pelegrinët e krishterë është një moment i veçantë kur prekin me dorë ujin e lumit Jordan, aty ku besojnë se u pagëzua Jezusi.
Elena Sopova vjen nga Maqedonia. Ajo thotë se ka dy vjet që kursen para për të vizituar këtë vend të shenjtë.
"Është një moment i papërshkrueshëm. Vetëm mund ta ndjesh, por nuk ka fjalë që ta shprehin sesi është në të vërtetë”.
Por ndërsa ujrat e lumit duken të pastra në pamje të parë, ambjentalistët thonë se lumi Jordan nuk është i tillë. Nadir Khateb punon në organizatën "Miqtë e Tokës në Lindjen e Mesme”. Ai thotë se lumi po dhunohet dita ditës.
"Lumi Jordan nuk ushqehet më me ujë të pastër. Kryesisht këtu derdhen ujërat e kanalizimeve në të dyja anët e lumit”.
Lumi nis rrugëtimin e tij në malet e Libanit lindor dhe kalon edhe përmes Sirisë. Ai derdhet në Detin Galile të Izraelit dhe në Luginën Jordan, duke krijuar kufirin izraelito-jordanez përfshirë edhe territoret palestineze.
90% e ujit që dikur ushqente lumin Jordan, tani shkon në ujitje, sipas organizatës "Miqtë e Tokës”. Po kështu një thatësirë 5 vjeçare e ka përkeqësuar situatën.
Ekspertët e ambjentit shpjegojnë se si rezultat ujërat e lumit janë pakësuar dhe thonë se nëse vazhdon kjo gjendje, lumi mund të thahet. Ati Anxhelo, një murg katolik në Jeruzalem shpresh shqetësimin e tij.
"Të vjen keq të thuash se sa i ndotur është uji i këtij lumi; duhet bërë diçka për ta pastruar atë”.
Edhe ambjentalisti Khateb thotë se dëshiron që bota të merret me fatin e këtij lumi.
"Pelegrinët vijnë nga jashtë dhe nuk e kanë idenë çfarë uji ka ky lum. Ata duan të futen në ujë dhe të pagëzohen, por ata nuk e dinë se sa i ndotur është uji. Uji mund t'u rrezikojë shëndetin, ndaj i bëjmë thirrje të gjithë botës të ndihmojë në rehabilitimin e lumit”.
Por besimtarja nga Maqedonia Sopova thotë se nuk shqetësohet për këtë.
"Unë besoj që ky është ujë i shenjtë. Nuk besoj se mund të ndodhë diçka e keqe”.
Pelegrinët besojnë tek shenjtëria e ujëra të këtij lumi.
Por ambjentalistët thonë se shumë shpejt dëmi mund të bëhet i pariparueshëm. //rd//