Fatmira Hajdari: Edi Rama ka qenë shok i Azemit, më pas nuk erdhi kurrë në shtëpinë tonë
Bashkëshortja e Heroit të Demokracisë, Fatmira Hajdari, shprehet për GSH se rivarrimi tek Dëshmorët e Kombit është një ringjallje e Azemit dhe se kjo ceremoni erdhi pasi Azemi kishte marrë vlerësimet më të larta nga shteti.
Zhvarrosja e Azemit u bë në një kohë pasi iu bënë të gjitha nderimet dhe vlerësimet më të larta në shtetin shqiptar, por edhe në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarët. Azemi ka marrë shumë vlerësime, duke nisur që nga komunat, bashkitë, Qytetar Nderi i Tiranës, e deri nderimet më të larta që i kanë bërë tre kryetarë shteti të Shqipërisë. Po kujtoj këtu dekorimet e ish-presidentit Alfred Moisiu me urdhrin Nderi i Kombit, ish-presidentit Bamir Topi me Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe së fundmi, në muajin mars 2013, edhe Presidenti aktual Bujar Nishani me Urdhrin e Flamurit Kombëtar. Azemi, si Hero i Demokracisë, përveç urdhrave e medaljeve, dekoratave e titujve të tjerë, gëzon nderimin më të lartë në Republikën e Shqipërisë: Urdhri i Flamurit (nga Presidenti Nishani) dhe vlerësimin më të lartë në Republikën e Kosovës Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, që iu dha nga Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova në vitin 2003. Pra, zhvendosja e Azemit te Varrezat e Dëshmorëve ka ardhur në një kohë, pasi iu bënë të gjitha nderimet dhe vlerësimet më të larta në shtetin shqiptar, por edhe në trojet e tjera shqiptare apo diasporë, shprehet ajo.
Fatmira shprehet se ftesat ishin si për të majtët edhe të djathtët, pasi Azemi u përkiste të gjithë shqiptarëve.
Azemi u përket të gjithë shqiptarëve. Në Varrezat e Dëshmorëve nuk ka dëshmorë që i përkasin të majtës apo të djathtës. Mund të them se shumë prej personazheve që sot i përkasin forcës së majtë politike, mund të flasin për vlerat e Azemit, shumë më tepër sesa unë që kalova përkrah tij një kohë të gjatë, thekson ajo.
Zonja Hajdari rrëfen lidhjen e hershme të Azemit me kreun aktual të PS-së, Edi Rama, por më pas Fatmira tregon se Rama iku dhe nuk erdhi asnjëherë në banesën e tyre, madje kryeministri ka munguar edhe në ceremoninë e rivarrimit të zhvilluar dje.
Kanë qenë shokë bashkë në vitet e para të demokracisë. Në vitin 1990, Edi vinte shpesh tek ne. Kemi qenë me qira në rrugën Vaso Pasho dhe Edi vinte herë pas here. Kur vinte, e mbante në prehër Kirin. Kiri ishte 7 vjeç atëherë dhe ishte tullac nga koka sepse ja kishim qethur flokët dhe Edi e kishte shumë qejf se ishte vetë si tullac, shprehet ajo dhe nënvizon se më pas Edi iku dhe nuk erdhi më në shtëpinë tonë.