E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Kongoli; Parashqevia ime, si Ana Karenina



Shkrimtari Fatos Kongoli ka promovuar dje në Akademinë e Shkencave librin e tij më të fundit, “Bolero në vilën e pleqve”. Si një rrëfim prej personazhit të një femre të zakonshme, ka mundur të jetë ndjekësi i disa linjave mbështetëse të historisë së trajtuar në këtë roman. Kongoli na thotë se ka shfrytëzuar historinë reale të mikut dhe përkthyesit të librave të tij, Edmond Tupja, për ta ndërthurur si orientimin më të rëndësishëm të kësaj vepre, me qëllim që për herë të parë shkrimtari të dalë nga skematizmi i romaneve të shkruara deri më tani. Ky ka qenë vlerësimi i rrufeshëm i lexuesve të tij të parë, duke na sugjeruar se kemi të bëjmë me një roman që do të na tronditë. Por libri i tij që gjen frymëzimin nga personazhet banale duket se ka tërheqje edhe më herët për Kongolin, duke menduar gjithnjë në ndjekje të njerëzve të zakonshëm, apo ordinerë. Është një situatë e njohur filmash, por edhe romanesh qysh nga përsosja artistike që i ka dhënë Floberi “Zonjës Bovari”, po ashtu Kongoli na kujton vetë edhe “Ana Kareninën” e Tolstoit. Kë Kongol të besojmë së fundi?

Sapo keni promovuar romanin tuaj të ri, “Bolero në vilën e pleqve”, çfarë mund të na thoni rreth tij?

Gjithë kohën kur unë e kam shkruar këtë roman, kam qenë jashtë vendit. Kam qenë shumë i ngarkuar emocionalisht, madje mund të bëjë krahasimin me një shprehje “jam si në tehun e një brisku”. Deri në fund të procesit të punës e vija në dyshim atë që unë po bëja. Nëse unë po flisja vërtet natyrshëm me gojën e një femre dhe se si do të pritej. Kjo kishte një rëndësi shumë të madhe, duke qenë se për mua në të njëjtën kohë ishte edhe si një ankth më vete. Ndërsa miku im dhe njëkohësisht dhe përkthyesi i librave të mi është lexuesi i parë i këtij libri. Unë isha në atë kohë në Paris dhe marr një mesazh elektronik prej tij, ku më thotë fjalë jashtëzakonisht të mira, superlativa që ndoshta nuk do të ishte shumë e hijshme nëse do t’i tregoja në media. Në të vërtetë, unë u emocionova shumë nga ky vlerësim, sepse Edmond Tupja është nga ata njerëz që nuk përton shumë dhe çdo gjë që mund të jetë, ta thotë në gojë. Nga emocionet e shumta nuk kam fjetur gjithë natës. Ishte një vlerësim i madh.

Pas dy ditësh, vijoja të isha sërish në Francë, ndërkohë që mora një e-mail nga botuesi Fatmir Toçi, i cili më fliste me superlativa për librin. Është diçka shumë e veçantë që vetë botuesi të flasë me fjalë tepër vlerësuese, është një rast i rrallë në botën e botimeve, dhe në një farë mënyre i vuri edhe kapakun përfundimisht dyshimeve të mia, ndërkohë që vlerësimin përfundimtarë do ta thonë lexuesit dhe shpresoj që ashtu si në librat e mi të mëparshëm, edhe me këtë botim nuk do t’i zhgënjej lexuesit.

Çfarë impresioni ju krijoi vlerësimi për librin tuaj dje?

Isha kureshtar të dija se si do vlerësohej ky roman nga një shkrimtare femër, siç ishte vlerësimi i koleges dhe patriotes, Flutura Açka. Mark Marku, studiues i njohur, e lexoi romanin në kohë rekord dhe i bëri një analizë interesante. Ishte inkurajuese në faktin që në këtë mënyrë konfirmoi dhe më hoqi të gjitha dyshimet kur kam nisur ta shkruaja romanin: nëse ja vlente ta mbaroja. Kjo m’u konfirmua. Është e vërtetë se libri më i mirë nuk shkruhet kurrë. Kjo është arsyeja pse një shkrimtar qëndron në pauzë, si unë tani, dhe më pas fillon e kërkon diçka tjetër. Por vlerësimi i fundit i mbetet lexuesit, ai i jep jetë librit. Të shkruash një libër është një proces i veçantë, sa më shumë të futesh në botën e letërsisë aq më shumë kupton se njeriu është i pafuqishëm për të përballuar gjithë peshën e një realiteti. Ekzistencën.

Ku qëndron ky roman në gjithë krijimtarinë tënde?

Këtë mund ta thoshte ndonjë ekspert i letërsisë, pasi ata do të jenë më të gatshëm për këtë përgjigje, kurse unë nuk di kë të vendos, por gjithsesi mund të them se kur fillova të shkruaj këtë libër, jo vetëm që isha i ndërgjegjshëm që po bëja një farë mënyre një eksperiment me veten time, por në një farë mënyre edhe doja të shkruaja një roman më ndryshe nga botimet e mia të mëparshme, të dilja nga tematikat e mëparshme. Sigurisht ky është një libër i imi, që e kam shkruar unë, dhe në këtë pikëpamje është po e njëjta dorë, e imja, sa i përket mënyrës vlerësuese. Ndërkohë që të gjithë ata që kanë lexuar librin e kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë dhe e kanë quajtur si një përsosmëri të stilit dhe mënyrës së të shkruarit. Është normale që kur të bëjnë vlerësime të tilla, edhe mua më pëlqejnë lëvdatat, por them se me këtë libër unë dola nga një qerthull ku qëndroja deri tani me librat e mëparshëm.

Cili është burimi i vërtetë i këtij romani, është një ngjarje e vërtetë, e jetuar, apo e marrë nga ngjarjet që shkruhen në media?

Realiteti i këtij romani është shumë i veçantë, sepse ideja ka lindur në një rrethanë shumë të veçantë. Zoti Tupe më mori një natë vonë në telefon, dhe ai më tregon një episod kur nëna e tij, një grua shumë e moshuar mbi 80 vjeç ishte shtruar në spital dhe duke qenë se e kishte të pamundur për ta vizituar, ai shkruan një letër, ndërkohë që babai i tij kishte pak muaj që kishte vdekur. Ky fakt, mua më impresionoi dhe i kërkova leje nëse mund ta përdorja këtë episod, real, ndërkohë që ai u tregua i shumë i gatshëm që unë ta përdorja këtë situatë.

Ndërkohë, babai i profesor Edmond Tupes, i cili nuk ka shumë kohë që është ndarë nga jeta, a është përfshirë në historinë e këtij romani?

Ai ka vdekur para dy-tre muajsh dhe romanin e kisha filluar përpara se ai të ndërronte jetë. Ndërsa letrën nuk e kam lexuar, por në bazë të këtij fakti që sapo theksova më lart unë kam ndërtuar një nga linjat më të rëndësishme të romanit.

Kjo ka qenë një nga linjat mbështetëse, ndërkohë që romanin e keni nisur më parë ta shkruani dhe ne po ju pyesim për idenë fillestare, si ka lindur?

Kjo ka qenë një shtysë, por po ta lexoni librin, aty kam futur shumë edhe nga përvoja ime, por burimi fillestar ka qenë përfytyrimi im për një njeri që e shohim para nesh, por që nuk e dimë se kush mund të jetë. Ky është personazhi kryesor, infermierja. Mua më kishte bërë përshtypje se si unë e shikoj çdo ditë këtë person, por nuk e njoh se kush mund të jetë. Madje, një herë kisha një ide që të ndjek dikë si një detektiv, se me çfarë merret dhe çfarë bën ai gjatë kohës së tij, por kjo ishte një ide e imja fillestare.

Personazhet më banale, ordinere, a bëhen shkak për një letërsi të madhe? Kujtojmë punën e Floberit me “Zonjën Bovari”?

Çdo gjë mund të bëhet letërsi. Mund të marrësh spunto edhe nga diçka e zakonshme, që kur e tregon në një vepër mund të dalë edhe një roman monumental, ashtu siç ka vepruar edhe shkrimtari i madhe, Lev Tolstoi, kur ka shkruar romanin “Ana Karenina”.

Çfarë thanë për Kongolin

Fatmir Toçi: “Libri i Kongolit na tregon se çfarë pasojash solli tranzicioni, përmes femrës. Ndërsa linja e dytë lidhet me ekzistencializmin. Kongoli trajton temat më të vështira si dashuria, urrejtja, lindja etj., që vijnë jo si filozofi, por si një realitet që e bën romanin tronditës. Shpresoj se do të jetë romani i ditës”.

Flutura Açka: “Kjo është nga veprat më të mira të Kongolit si autor. Dallohet një nerv i pamëshirshëm. Ky libër mendoj se do t’i shërbejë emancipimit të shoqërisë sonë”.

Edmond Tupe: “Duke e përkthyer këtë libër në gjuhën frënge, mendova për një çast se ky është fati i shkrimtarit, për të na ndërgjegjësuar për turbullirat tona. Në këtë roman është një lëmsh kontradiktash dhe shkrimtar si Kongoli na qartësojnë”.

Mark Marku: “Struktura dhe kompozicioni i romanit na çojnë në një raport se si jetojnë ato në kohët moderne, duke iu përshtatur kohës së lexuesit. Është ndër të paktat romane shqiptare që reflekton kohën moderne. Se si e realizon teknikisht romanin? Kongoli e shndërron gjuhën në kufirin maksimal të transparencës. Gjuha shpesh na bëhet pengesë. Sa i takon kompozicionit, letërsia shqiptare ka kaluar një fazën e skematizimit, si dhe fazën e eksperimentit të post-komunizmit. Është e para eksperiencë e romanit të Kongolit në kompozicionin modern. Është një libër bilanc. Tek një libër kupton se romani është një cak mbërritjeje. Romani më i mirë nuk mund të shkruhet kurrë dhe fundi quhet më i miri. Mendoj se do të jetë një nga romanet më të mira të botuara deri tani”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›