E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interneti në shkolla, nëpërmjet Albtelekomit



Shërbimi i internetit tashmë do të bëhet pjesë e çdo shkolle në Shqipëri. Në një garë për të fituar tenderin e projektit të pajisjes së shkollave me internet, fitues është shpallur shoqëria e telefonisë fikse Albtelekom. Lajmi u bë i ditur dje nga drejtori i përgjithshëm i Albtelekomit, Mustafa R. Akdogan, i cili deklaroi se brenda vitit 2009, kompania Albtelekom do të shtrijë shërbimin e internetit në 2117 shkolla të arsimit bazë dhe të mesëm në shkallë vendi, ndërsa brenda tre muajve të parë të këtij viti, në 1000 shkolla të këtyre niveleve. “Albtelekomi ka fituar tenderin nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për projektin e pajisjes me këtë shërbim të 2117 shkollave të këtyre dy niveleve, i cili do të përfundojë brenda vitit 2009”, - tha Akdogan. Shtrirja e teknologjisë së informacionit në arsimin parauniversitar është një prej prioriteteve shumë të rëndësishme të qeverisë në fushën e arsimit parauniversitar, pasi konsiderohet si një nga motorët kryesorë të zhvillimit të këtyre kategorive arsimore në Shqipëri. Qeveria ka një sërë projektesh, nëpërmjet të cilave synon të mbështesë këtë objektiv madhor, që konsiston jo vetëm në realizimin e infrastrukturës, sigurimin e kabineteve dhe lidhjen me internet, por edhe në tërheqjen e burimeve njerëzore, kualifikimin e mësuesve dhe përfshirjen e teknologjisë së informacionit hap pas hapi në kurrikulat e arsimit të mesëm, por edhe elementë të këtyre kurrikulave në arsimin 9-vjeçar.

Internet edhe për gjithë administratën

Kompania Albtelekom do të ofrojë shërbimin e internetit (ADSL) për të gjithë punonjësit e administratës në nivel qendror dhe lokal. Drejtori Akdogan u shpreh se kompania, duke filluar nga ky muaj, për të gjithë punonjësit e administratës në nivel qendror e lokal do të ofrojë shërbimin e internetit. "Të gjithë ata që do të regjistrohen në këtë shërbim, përveç modemit instalimit falas, Albtelekomi do të bëjë 50 % ulje për gjashtë muajt e parë", - deklaroi Akdogan. Sipas tij, kjo është një paketë e veçantë që t’u ofrohet punonjësve të administratës, me ndikim në rritjen e aftësive dhe eficiencës së tyre.

Nga ana tjetër Albtelekomi ka vendosur të ulë në 17 lekë për minutë tarifën për thirrjet ndërkombëtare për të gjithë klientët e saj. Akdogani tha dje se duke nisur nga data 1 mars, kompania do të ulë tarifat për thirrjet ndërkombëtare si dhe ato drejt operatorëve celularë nga 10-25%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›