Fatura e intelektualëve
Ka një debat të shëndetshëm në opinionin publik prej disa kohësh: Bëhet fjalë për diskutime mbi impenjimin e disa intelektualëve shqiptarë në krah të pushtetit. Si në çdo debat ka pro e kundër këtij fenomeni. Eshtë shumë e rrallë që mendje më të ndriçuara se mesatarja e përgjithshme e qytetarëve, të bëhen bashkë për të thënë fjalën në krah të pushtetit. Vërtetë e rrallë. Në më të shumtën e herëve, ka raste individësh, por asnjëherë grupime, rreshtime, deri në peticione pro pushtetit. Ka ndodhur në diktatura. Kjo ndodh sot në Shqipëri dhe e ka një shpjegim banal. Kultura e përhapur në vend është: të punojmë pak e të fitojmë shumë. Mund ta quajmë thjeshtë kultura e dembelizmit. Nuk i shpëtojnë kësaj “sëmundje” edhe intelektualët, që, ndryshe nga dembelët jo VIP-a, kanë dhe pretendime për një nivel të kënaqshëm jetese. Po si arrihet kjo, pa u sforcuar, pa vrarë shumë mendjen e më tepër, lodhur kurrizin? Thjesht: Duke i paraqitur faturat politikës. Sidomos Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, prej 2005, vazhdon të paguajë pa kursim fatura ndaj çdo intelektuali që harxhon frymë e imazh në shërbim të pushtetit. Po ç’janë këto fatura ? Një post në administratë, një universitet privat, një godinë e privatizuar... Socialistët e prishën keq këtë punën e pagesës së faturave intelektualëve. E nisi ish-kryeministri e kreu i PS Fatos Nano, që ndonjërin prej tyre, dihet, e ka nxjerrë dhe me shkelma jashtë, e të tjerë, as i ka qasur; e vazhdon këtë traditë Edi Rama. Nuk e di nëse socialistët e kanë bërë nga mendjemadhësia e arroganca apo ka një parim pas kësaj. Fakti është, që të mësuar me “zemërgjerësinë” me paratë e postet e gjithë shqiptarëve, të kryeminsitrit Berisha, intelektualët s’kanë si mos të shpenzojnë fare pak kohë e mund, saç të merr një peticion a pjesëmarje në miting (të harxhon fundi fundit nga pak sekonda në maksimumi dy orë nga dita) për të paraqitur pastaj një faturë të mirë. Ja pse disa intelektualë shqiptarë (dhe nuk janë pak), renditen në krah të këtij lloj pushteti. E kanë provuar se Saliu (dhe Luli pa dyshim) ua paguan faturat. Jo si Fatosi e si Edi, siç i thërrasin ata. Ja ç’i bën këta njerëz të mençur të bëhen bashkë krah kryeminsitrit e babyberishës.