Përkujtohet sot 5 maji, dita e dëshmorëve
Dita e dëshmoreve, do të përkujtohet e ndarë nga krerët e lartë të shtetit dhe përfaqësues të opozitës.
Presidenti Bamir Topi do të vizitojë sot qarkun e Dibrës ku do të zhvillojë vizita në familjet e dëshmorëve të atdheut ndërsa kryeministri Berisha do të zhvillojë në orën 10:00 homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe do të vendosë kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Ndërsa kryetari i PS-së Edi Rama i shoqëruar edhe nga përfaqësues të opozitës do të zhvillojë në orën 09:00 homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Dita e 5 Majit, njihet nga të gjithë, si dita e Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, vendosur si ditë e shënuar për kombin, nga pushteti komunist, në nderim të 28 mijë dëshmorëve të luftës 1939-1945.