Fauna në zonat e mbrojtura, në Korab-Koritnik ka edhe specie endemike si rrëqebulli dhe gjeli i egër

Në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik, pjesë e zonave të mbrojtura, vit pas viti vihet re rritje e popullimit me kafshë të egra dhe shpendë të llojeve të ndryshme.
Së fundmi janë hasur edhe specie endemike, si rrëqebulli dhe gjeli i egër.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM) në Kukës, Lefter Gjana, thotë se rikthimi i dhisë së egër dhe specieve endemike dëshmon për një shtim të faunës dhe qetësisë së habitateve në këto zona.
“Para një viti është konstatuar prezenca e dhisë së egër. Është një tregues pozitiv i qetësisë së habitateve. Kemi kaprollin, derrin e egër, ariun e murrmë, ujkun, prezencë të rrëqebullit, një specie endemike në zhdukje, që është konstatuar vetëm në parkun natyror Munellë. Tani e kemi atë prezent edhe në parkun natyror Korab-Koritnik. Të njëjtat specie, duke shtuar edhe gjelin e egër, janë në parkun kombëtar të Alpeve,” shprehet drejtori ADZM Kukës.
Sipas z. Gjana, monitorimi bëhet gjatë periudhës së vjeshtës, periudhë në të cilën qetësia në habitate është më e madhe për shkak të rënies së lëvizjeve nga vizitorët e shumtë dhe turistët që frekuentojnë këto zona.
Ndikim pozitiv ka edhe frenimi maksimal i gjuetisë. Drejtori thekson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Shtetit për rastet sporadike dhe të veçuara që janë konstatuar.
“Ne vazhdimisht monitorojmë zonën e egër për evidentimin e specieve, sepse akoma nuk kemi kaluar në fazën që të kemi një regjistër ose numër të faunës së egër. Më shumë evidentojmë prezencën e llojeve dhe specieve,” thotë z. Gjana.
Sipërfaqja pyjore dhe pozita gjeografike e qarkut të Kukësit e bëjnë më të favorshme situatën për faunën dhe florën, përfshirë edhe ndërgjegjësimin qytetar. Të gjitha këto janë një garanci jo vetëm për habitatet ekzistuese, por edhe për rritjen e popullimit, qoftë tek gjitarët, qoftë tek shpendët.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/