Favorizohet firma e koncesionit të doganave
Ndryshohet lista e makinerive të importit pa TVSH, futen në skemë edhe skanerët me rreze x
Një vendim i marrë së fundmi nga qeveria bën të mundur ndryshimin e listës së makinerive dhe pajisjeve, të cilat mund të importohen pa paguar TVSH-në në doganë në masën 20 për qind. Lista është miratuar më 13 shkurt 2013, pas një beteje të gjatë mes qeverisë dhe biznesit, por dje kjo listë ndryshoi, pasi u përfshinë në të edhe 6 pajisje të tjera, mes tyre edhe skanerët me rreze x.
Vendimi vjen pas miratimit në Kuvend të kontratës së dhënies me koncesion të shërbimit doganor të kontrollit të mallrave me skaner rreze x. Vonesa e hyrjes në fuqi të vendimit, i cili u prit gjatë nga biznesi, mund të shpjegohet me faktin e futjes në skemë edhe të pajisjeve që do të importohen nga koncesionari, të nevojshme për investime. Për 15 vjet, në 5 pikat doganore kryesore në vend, do të instalohen skanerë, të cilët do të bëjnë të mundur kontrollin e mallrave, më saktë të kontejnerëve. Ky shërbim do të ofrohet nga një shoqëri private, Rapiscan Security, me seli qendrore në Kaliforni (SHBA), përkundrejt tarifës prej 39 eurosh për çdo deklaratë. Në bazë të asaj çfarë thonë doganat, në vit raportohen rreth 300 mijë deklarata dhe me tarifën e vendosur në koncesion, të cilën do ta paguajë biznesi privat importues, krijohet një e ardhur prej rreth 12 milionë eurosh në vit, ose mbi 170 milionë euro për 15 vitet e ekzistencës së kontratës. Ministria e Financave thotë se nga kjo e ardhur që shkon në xhep të privatit koncesionar, vetëm 2 për qind do të derdhet në buxhetin e shtetit. Në tenderin për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit, mori pjesë vetëm shoqëria nga SHBA-ja, ndërsa Ministria e Financave pranon se këtë lloj koncesioni do ta aplikojë vetëm Shqipëria, pra nuk përdoret në asnjë vend të rajonit. Lista e mëparshme përmbante rreth 600 pajisje dhe makineri, si kërkesë e domosdoshme e biznesit për të zbutur kostot e investimeve. Pajisjet dhe makineritë e reja të përfshira dje në listë, janë kategoritë: turbina hidraulike dhe rrotat e ujit me fuqi që nuk i kalon 1000 kW, që i kalon 1000 kW por nuk i kalon 10 000 kw, dhe turbinat hidraulike dhe rrotat e ujit me fuqi që i kalon 10000 kW; pjesët, përfshirë rregullatorët; Skanerët me rreze X (përveç atyre të përdorur në mjekësi, kirurgji, stomatologji dhe veterinari); dhe serrat.
Vendimi për heqjen e TVSH për importin e makinerive, si dhe të tjera akte pritet ti kushtojnë buxhetit të shtetit një kosto prej rreth 25 miliardë lekësh.
A.Kola
Dyshimet e konsulentit
Burime jozyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se konsulent për koncesionin e kontrollit të kontejnerëve është një ish-zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë, shkarkuar pas hetimeve të KLSH-së për shkelje në disa koncesione!
Favorizohet firma e koncesionit të doganave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email