Të luash bixhoz pa hyrë në kazino!
Këtë mundësi ta krijon qeveria. Çfarë përmban ligji dhe debatet me fyerje në Kuvend
Nuk do të lejohet më ushtrimi i aktivitetit të lojës së fatit pranë institucioneve bankare
ARD KOLA
Quhet Kazinoja elektronike në distancë dhe shumë shpejt do të jetë e mundur të luhet edhe në Shqipëri, nga subjekte të licencuara nga Ministria e Financave, përmes Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Në fakt, bixhozi online luhet edhe tani, por është i pakontrollueshëm nga shteti dhe nuk ofron siguri. Ministria pranon se lojërat e fatit online dominohen nga bastet sportive, kurse kazinotë janë të pakta. Si aktivitet, konsiderohet tërësisht informal dhe shteti nuk gjeneron para, ndaj qeveria ka menduar ta përfshijë në ligjin Për lojërat e fatit, i cili u miratua dje në komisionin parlamentar ku nuk munguan akuzat dhe ofendimet mes deputetëve.
Tashmë me miratimin e projektligjit, çdo individ mund të luajë kazino nga kompjuteri i shtëpisë, por edhe i punës, nëse i lejohet. Kjo gjë do të arrihet pas licencimit të shoqërive përkatëse, ndërsa lojtarit i janë vendosur disa kushte sigurie për të marrë pjesë.
Kjo është arritur duke vendosur disa safeguards si p.sh. dokumentimin e lojtarit nëse është efektivisht mbi 18 vjeç (Neni 10/2, i projektligjit), në asnjë rast të mos ketë pagesa në cash, por gjithnjë nga llogaritë bankare, duke i bërë transferimet e pagesave lehtësisht të kontrollueshme, mbikëqyrjen e vazhdueshme të çdo transaksioni me anë të serverëve, të cilët duhet të kenë karakteristika të larta teknike, etj.
Në projektligjin Për lojërat e fatit, (nenet 2, 3, 5, 6, 9 dhe 10) është shtuar si kategori loje fati kazinoja elektronike në distancë, duke parashikuar dhe mënyrën e licencimit, kontrollin dhe tatimin mbi këtë kategori. Ministria thotë se, sipas kërkimeve të ekspertit të huaj, Purcell&Associates, rreth 10 për qind e vëllimit të lojës së kazinosë elektronike në botë qarkullon online. Nuk shihet ndonjë arsye pse në Shqipëri të mos veprojë po ky vëllim loje, duke sjellë ky fakt domosdoshmërinë e rregullimit të kësaj marrëdhënie, sqarojnë Financat.
Për të marrë pjesë në lojë, duhet plotësuar online një formular, ku do të hidhen të dhënat, në bazë të kartës së identitetit, për të shmangur rrezikun e pjesëmarrjes së minorenëve. Gjithashtu, është vendosur që të mos ketë subjekte të lojërave të fatit pranë institucioneve bankare, sikurse nuk lejohen të ushtrojnë aktivitet pranë institucioneve arsimore. Niveli i taksimit do të jetë: 0.5% e të ardhurave nga arkëtimet shkojnë për NJMLF-në, 2% e të ardhurave nga arkëtimet si tatim loje, 0.2% e të ardhurave shkojnë për bashkitë dhe komunat ku zhvillohet aktiviteti, dhe 90% e shumave të luajtura u kthehet lojtarëve.
Ligji vendos rregulla të forta për lojërat promocionale të organizuara nga subjekte të ndryshme të shitjes me pakicë dhe me shumicë, për udhëtime apo shpërblime dhuratash.
Sa i takon debatit, konflikti u provokua pas diskutimit ndërmjet Mimi Kodhelit, deputetes së PS dhe Besnik Çobajt, kryetar i NJMLF-së. Kodheli shprehu shqetësimin se sektori i bixhozit në vend lundron në informalitet dhe ka kërkuar të dhëna nga Çobaj rreth të ardhurave që gjenerohen, por ky i fundit i është përgjigjur me kushtin që më parë deputetja ti tregojë nivelin e informaliettit dhe pastaj të bëhen publike shifrat. Këtu kanë ndërhyrë të tjerë deputetë, Erjon Braçe dhe Sherefedin Shehu, duke shkaktuar kaos në komisionin. Palët kanë ofenduar njëra-tjetrën, se kush kishte zbritur nga mali, kush kishte veshur shajak, apo dhe kush zgërdhihej me ironi.
Të luash bixhoz pa hyrë në kazino! burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email