E Shtunë, 31 Tetor 2026

Felaj e Gaçi kundër Braçes: Ideja e tij, një vrimë në ujë

TIRANE - Ideja e hedhur dje, nga deputeti e njëherësh nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, sipas parimit ‘një anëtar-një votë’, mendohet si e parakohshme në radhët e kolegëve të tij. Të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, një pjesë e madhe e deputetëve kanë preferuar ta mendojnë më mirë këtë ide të hedhur, madje edhe ta diskutojnë brenda forumeve, përpara se të flasin në media. 

E kontaktuar me telefon, deputetja e qarkut të Beratit, Ermonela Felaj tha se: “ky diskutim i mënyrës së zgjedhjeve të deputetëve më duket pa vend, para nevojës për të reformuar vetë zgjedhjet në këtë vend, për të ndryshuar KQZ-në dhe vendosur standardin e zgjedhjeve që nuk e cenojnë dot votën, as kur ajo hidhet dhe as kur numërohet. E për sa kohë nuk ndërgjegjësojmë këdo për këtë nevojë, çdo gjë tjetër do shënohej si një vrimë në ujë”, - u shpreh Felaj për Gazetën. Ndërsa deputeti tjetër i qarkut të Tiranës, Artan Gaçi u shpreh se: “jam i gatshëm të jap mendimin tim brenda forumeve, në linjën e diskutimit brenda tyre, por jo në Facebook apo në media”. 

Pritet që këtë periudhë e në vazhdim, meqenëse tashmë është hapur edhe viti elektoral për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013-të, kjo të jetë një nga temat e diskutimit, mes socialistëve që pretendojnë të marrin sërish mandatin e deputetit. Deri më tani, përzgjedhja e kandidatëve për deputetë është bërë nga kryetari i partisë, në konsultim me deputetët dhe me drejtuesit vendorë të PS-së në qarqe të caktuara. Sipas nenit të statutit, pikërisht neni 28, pika 14 e tij, është kryesia e partisë më pas që “miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore”. 

Para zgjedhjeve të shkuara, veçanërisht në ato të 2009-ës pati mjaft pakënaqësi në radhët e socialistëve për mënyrën e vendosjes në lista të kandidatëve. Emra të vjetër të PS-së u vendosën në radhët e fundit të listave sipas qarqeve dhe shumë prej tyre rrezikuan mandatin, ndërsa të tjerë u skualifikuan. E për të sjellë një ndryshim në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, Braçe ka marrë nismën, mbështetur edhe në sugjerimet e miqve të tij, në rrjetin social në Facebook, që të lançojë idenë e re që lista e deputetëve të ardhshëm të PS-së të vijë pas një votimi në bazën e partisë. Braçe madje ka vendosur në bazë të sugjerimeve edhe kriteret që i duhen një deputeti për t’u zgjedhur në listën përfaqësuese të PS-së. 

“Kandidatët duhet të jenë me moral të pacenuar, të ndershëm, të pakonsumuar në raport me ligjin, moralin, politikën, të papërfshirë qoftë edhe në një rast të vetëm në afera korruptive, profesioniste, të angazhuar politikisht me PS-në në mënyrë konstante, të ndarë nga aktiviteti i tyre ekonomik (biznesi), të shërbejnë me kohë të plotë ndaj komunitetit që i zgjedh duke i qëndruar besnik votës politike të marrë e të kenë moshë aktive”, - renditi Braçe. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›