E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, GDN vendos sot për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë

PRISHTINE - Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën takohet sot në Vjenë, ku pritet të merret vendimi për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në takim merr pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjithashtu, në javën e kaluar ka thënë se pret një vlerësim pozitiv për arritjet në Kosovë si dhe dhënien e datës për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Institucionet kosovare presin që kjo të ndodhë në muajin shtator. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, ka thënë se Kosova së shpejti do të jetë shtet me pavarësi të plotë, pasi të hënën në Vjenë komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të vendosë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”.

“Kjo është shenjë e qartë e mirëbesimit që është vendosur në Kosovë”, - tha ai dhe shtoi se Kosova “tash është mjaft e pjekur për të qëndruar në këmbët e veta dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen e të gjithë shtetasve të saj”.

Ky hap formalisht do të ndërmerret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i cili e ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës dhe përbëhet nga 23 vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.

Megjithatë, Bashkimi Evropian e vazhdon praninë e tij në Kosovë me misionin EULEX për polici dhe sundim të ligjit, ndërsa janë të pranishme edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.

(er.nu/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›