E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e QKF-së përdoren si xhingie nëpër dasma. Skandali edhe në dasmën e vajzës së ish drejtoreshës së Arsimit

Nga Artur Llana

Vetëm pak ditë më parë, gazeta lokale Bulevard në Durrës, botoi një skandal që ka shokuar të gjithë qytetin. Shkrimi u botua ditën e martë dhe ajo që të bën përshtypje është se reagimi i vetëm ka ardhur nga një gazetë që njihet ndryshe si fletërrufeja e PD së Durrësit. Për arsye teknike, gazeta Bulevard nuk ka mundur ta vazhdojë shkrimin në numrin e ditës së premte dhe duke menduar që është një temë që kërkon  ndërhyrjen e disa institucioneve, deri në numrin e ditës së martë, ajo kërkon mirëkuptimin dhe përkrahjen e gazetës TemA, për të bërë publik këtë skandal nisur dhe nga tirazhi shumë i madh i saj dhe aq më shumë nga influenca që ka si gazetë online. Rasti është shfrytëzim i pastër i fëmijëve në një vend në mes të Evropës për qëllime përfitimi nga një drejtoreshë që është kooptuar në kryesinë e PD-së së Durrësit vetëm se ka bërë moderatoren e një takimi të Jozefina Topallit. Ajo që është e turpshme në të gjithë këtë histori ka të bëjë me faktin se po ju kërkohet si mbrojtje për paratë që kanë vjedhur nga abuzimi me fëmijët firma e baballarëve të tyre. Por edhe kjo është krimi i radhës , pasi as edhe vetë prindërit nuk mund ti dërgojnë fëmijët si xhingie apo belly dance nëpër dasma fëmijësh të drejtorëve.

Si ka ndodhur ngjarja!

Në redaksinë e gazetës Bulevard prej dy javësh kishin mbërritur  rreth 40 foto, të cilat fillimisht janë parë si të dyshimta dhe për tu verifikuar nga stafi, gjë e cila është bërë me kujdesin më të madh. Për të shuar kureshtjen e lexuesve, fotot kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës në një dasëm private që për çudi, këtë radhë nuk kishte vetëm personin që i menaxhon atë si nëndrejtor i kësaj qendre Arjan Plaku, por edhe vetë nusen, e cila në kohën që është zhvilluar dasma, pra në ditët e para të gushtit, e ka pasur nënën drejtoreshë të arsimit në Durrës dhe që quhet Ermira Bllani. Natyrisht si çdo prind edhe unë jam shokuar kur kam parë që në dasmën e drejtoreshës së arsimit në Durrës, pas hedhjes së dinamitit, me kostumet e QKF, nën dirigjimin e koreografit, i cili është i disapunësuar në shtet (këto janë objekte të shkrimeve të tjera), fëmijët kanë kërcyer në një dasëm private, por dhe janë dhunuar jo vetëm nga orët e zgjatura të punës, por edhe duke ju servilosur shijeve të  personave që janë të pirë për qejfe të tyre dhe këtë radhë për argëtim kanë zgjedhur fëmijët e një institucioni shteti. Në gazetën lokale deri tani janë botuar vetëm disa nga fotot, ku ne nuk kemi dashur të tregojmë dhunimin e bërë nga pijanecët e dasmës, por thjesht një skandal me një institucion shteti. Gjatë interesimit për të mësuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, disa kameramanë më kanë konfirmuar dhe madje dhe dhuruar edhe disa foto të dalë nga videot që kanë xhiruar, për praktikën e turpshme të dërgimit të fëmijëve në dasma për të mbushur xhepat me para. Këtë gjë nuk e kam besuar ose më saktë nuk kam dashur ta besoj qoftë edhe për të bërë sensacion, kur më është thënë se fotot e keqpërdorimit të fëmijëve mund ti gjeja në një adresë Facebooku me emrin e vajzës së ish drejtoreshës. Kur kam klikuar ato foto që ishin të hapura për të gjithë jam skandalizuar dhe kam pyetur veten se deri ku mund të shkojë marrëzia e përdhunimit të detyrës (Tashmë ato janë hequr dhe janë zëvendësuar me të tjera, por kjo vetëm sa shton fajin pasi janë të ruajtura në dhjetëra vende falë teknologjisë). Unë kam mbledhur këto ditë shumë materiale, natyrisht dhe që kam dërguar e-maile te shumë personalitete, ndërsa të gjithë dosjen ja kam përcjellë edhe kryeministrit, por pa e ditur nëse ja kanë dërguar apo jo. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Duke pritur ditën e martë kur gazeta Bulevard do të jetë e gjitha në varësi të kësaj ngjarje… me foto të tjera ekskluzive, unë po i drejtohem prestigjozes TemA për të sensibilizuar akoma më shumë për këtë skandal që sipas juristëve ka të paktën tetë shkelje juridike dhe natyrisht deri tani dy persona duhet të ishin prangosur. Por mesa duket prokuroria këtë rast e ka quajtur normal dhe pse rreth 16 fëmijë janë dhunuar, u janë shkelur të drejtat dhe aq më shumë që janë përdorur për të kërcyer në tavolina me njerëz të dehur. Deri tani unë kam mundur të mbledhë disa prononcime të ish drejtuesve të arsimit, të titullarëve të institucioneve dhe natyrisht që në ditët në vazhdim kjo do të jetë një dosje voluminoze që nuk mund të kalohet me një redaksionale e ardhur nga një grup njerëzish që e kanë financuar këtë gazetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›