E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët mes lojës dhe ekraneve, psikologët këshillojnë më shumë lojra në natyrë

Kanë nevojë të argëtohen duke luajtur, por mundësia për t’i mbikëqyrur gjatë kësaj periudhe është e pakët, pasi një pjesë e mirë e prindërve janë të angazhuar në punë edhe gjatë verës. Fëmijët që kanë fatin të kenë gjyshër monitorohen prej tyre kur luajnë jashtë, por edhe në shtëpi. Ata na rrëfejnë se përpiqen t’i shkëpusin nga lojërat elektronike, ndaj zgjidhja më e mirë janë lojërat në natyrë, por edhe në ambiente të brendshme, larg ekraneve.

“Ato telefonat po i shkatërrojnë kalamaj. Kemi qenë kënaqur më tepër. Tani për pak mërziten, nevrikosen, nuk janë të qetë. Domethënë ndoshta ndikimi i telefonave. Unë i nxjerr për vete. Unë i nxjerr këtu sport gjithë ditën”, deklaroi njëra nga qytetaret.

“Ikën në çerdhe paradite, tani pushim. Pastaj del me gjyshërit, fle gjumë në orën 12:00, dalim prapë mbasditeve. Kënaqet, argetohet me shokët e tij, me moshëtarët e vet. Luan te susta edhe kështu që edhe ne gjyshet kënaqemi”, u shpreh një tjetër qytetare.

Psikologët këshillojnë që fëmijët të përzgjedhin vetë lojërat dhe aktivitetet që i bëjnë të ndihen mirë.

“Ajo që këshillohet në të tilla raste është lejimi i gjetjes së aktiviteteve pa i dhënë një strukturë të gatshme fëmijëve në mënyrë të atillë që ata të nxisin fantazinë, imagjinatën apo të kuptojnë realisht se çfarë duan të bëjnë, se çfarë u pëlqen të bëjnë, si mund ta menaxhojnë kohën e lirë apo edhe mërzitjen kur nuk kanë një program të strukturuar”, deklaroi psikologia.

Ndërsa, në mosha të ndryshme, sipas psikologëve, ndryshon edhe mënyra se si prindërit duhet t’i monitorojnë fëmijët.

“Nëse në fëmijëri të hershme apo në pa kaluar tek para adoleshenca dhe adoleshenca, monitorimi është më i drejtpërdrejtë. Kur hyjmë në adoleshencën e hershme dhe fillon shkëputja pastaj drejt adoleshencës ose asaj pavarësisë që edhe mosha e kërkon, patjetër që monitorimi bëhet, por nga larg, pa qenë objekt në vetvete monitorimi”, shtoi psikologia.

Sa më pak televizor dhe lojëra elektronike dhe sa më shumë angazhim në lojëra që nxisin kreativitetin, siç janë ato me plastelinë dhe prodhimi i maketeve, sugjerojnë psikologët për fëmijët në këto ditë të nxehta vere.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›