E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fëmijët në Gazë po vdesin nga uria, “Save the Children”: Të vegjlit janë aq të dobët sa nuk mundet as të qajnë

Uria në Rripin e Gazës po shkatërron jetët e mijëra fëmijëve, ndërsa organizata “Save the Children” ka dhënë një dëshmi tronditëse për situatën.

Në një fjalim drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidentja e kësaj organizate, Inger Ashing, tha se fëmijët janë aq të dobët sa nuk mundet as të qajnë.

Sipas saj, kjo nuk është vetëm një krizë humanitare, por një agoni e ngadaltë dhe e dhimbshme që po ndodh para syve të botës.

Ajo shpjegoi se zia e bukës nuk është një term teknik, por një realitet ku fëmijët kequshqehen dhe më pas vdesin ngadalë.

“Trupi i tyre fillimisht shfrytëzon yndyrën, pastaj fillon të konsumojë muskujt dhe organet e brendshme,” tha Ashing.

Në klinikat e organizatës, shtoi ajo, është pothuajse qetësi totale sepse fëmijët nuk kanë më forcë as të qajnë. Ata shtrihen të shteruar, duke u fikur ngadalë.

Ashing fajësoi Izraelin për pengimin e ndihmave humanitare dhe tha se kjo gjendje u paralajmërua prej muajsh.

Ajo kërkoi nga anëtarët e Këshillit që të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur këtë tragjedi.

“Të gjithë këtu keni një përgjegjësi morale dhe ligjore,” tha ajo.

Javën e kaluar, OKB-ja shpalli zyrtarisht zinë e bukës në Gazë. Sipas organizatës IPC, aktualisht 500 mijë persona janë të prekur dhe deri në fund të shtatorit, uria mund të përhapet në dy të tretat e territorit palestinez.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›