E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët romë mbeten pa kopsht, nuk gjendet edukatore

Vështirësia për gjetjen e një edukatoreje ka lënë të mbyllur kopshtin e fëmijëve të Komunës Qendër në Rrethin e Fierit, duke mos ua ofruar këtë shërbim fëmijëve që vijnë nga komuniteti rom.
Godina e kopshtit në fjalë është rikonstruktuar dhe i ka marrë fondit të komunës si dhe qeverisë një shumë prej 30 milionë lekësh. Kryetari i Komunës Qendër deklaron se ka bërë disa kërkesa për emërimin e një edukatoreje, por askush nuk ka pranuar që të punojë në këtë kopsht.
As kryetari i komunës, as përfaqësuesit e Drejtorisë Arsimore nuk duan të sqarojnë se cilat janë arsyet që asnjë person nuk ka pranuar t‘u japë mësim fëmijëve romë, por prindërit e këtyre fëmijëve janë të sigurt se e dinë arsyen dhe kjo lidhet me ngjyrën e lëkurës dhe statusin social që kanë romët në Fier.
Në tre fshatra të kësaj komune jeton një komunitet i madh romësh. Shumica e anëtarëve të këtij komuniteti janë analfabetë, ndërkohë që për të zbutur shifrën e lartë të këtij fenomeni, institucione të ndryshme lokale dhe qendrore, por edhe organizata joqeveritare, kanë vendosur çeljen e një institucioni arsimor dhe argëtues, kryesisht për fëmijët romë. Një godinë e tillë është ndërtuar falë një fondi të dhënë prej qeverisë, si dhe një pjesë të siguruar nga buxheti i komunës. Prej një viti, godina në fjalë është inauguruar, por për asnjë ditë nuk ka çelur dyert e saj. Kryetari i Komunës Qendër, Harilla Mile, shprehet se godina që është në shërbim të arsimimit të komunitetit rom nuk është në funksion për shkak të mungesës së mësuesve.
"I kam bërë disa herë kërkesë Drejtorisë Rajonale të Arsimit me qëllim emërimin e një edukatoreje në këtë kopsht. Asgjë nuk është bërë nga ky institucion. Jam detyruar së fundmi që zyrtarisht t‘i drejtohem Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave që të ndërhyjë për këtë problem. Jemi në pritje. Ndërsa komuniteti rom përballë këtij hezitimi të shfaqur ndihet i fyer", thotë kryetari i Komunës Qendër, Harilla Mile.
Përfaqësues të këtij komuniteti, që banojnë në fshatrat që bëjnë pjesë administrativisht në Komunën Qendër, thonë se në inaugurimin e godinës së re kanë marrë pjesë, por më pas nuk ka ndodhur ajo që u premtua. "Na kanë premtuar për shkollë, por deri tani nuk kemi bërë asnjë ditë mësim. Ja, zotërinjtë drejtues e dinë", thotë një përfaqësues i lagjes rome në fshatin Drizë.
Ndërsa statistikat e braktisjes së shkollës kanë në vetvete më shumë pjesëtarë të komunitetit rom, mungesa e një edukatoreje në një institucion të arsimit parashkollor i thellon edhe më tepër këto statistika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›