Fenomeni Brozi dhe historia e sulmeve ndaj disa prej ambasadorëve amerikanë
Nga Aleksandër Ndoja
Edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, për shumicën e zgjedhësve rezultati i cili çoi në opozitë PD-në dhe aleatët e saj nuk përbën ndonjë surprizë të madhe. Kjo sepse situata e rëndë në funksionimin e qeverisjes nuk donte shumë mund për tu identifikuar, pasi ajo ishte e prekshme në çdo qelizë të jetës. Madje edhe një pjesë e madhe e të larguarve nga pushteti kanë filluar të kthjellohen dhe po pranojnë gjithnjë e më shumë se rrotacioni ka qenë një domosdoshmëri. Por shumë analistë të së djathtës, akoma nuk pranojnë se arsyet e vërteta të humbjes së tyre në Mirditë, janë pikërisht ato arsye të humbjes së PD-së në të gjithë Shqipërinë. Nuk duan të pranojnë se Berisha indirekt apo direkt prezantoi një vijë sjellje tipike hakmarrëse apo urrejtje në Mirditë dhe me mirditasit. Janë shumë argumenta që e provojnë këtë, por njëri prej tyre akoma has në mospranim fakti, e qe lidhet me arsyet pse qeverisja në ikje për tetë vite me rradhë përdori një fshesë të hekurt ndaj çdo mirditasi në nivelet e qeverisjes, aq sa asnjë emër të tillë nuk mund të konstatoje në nivel ministri, zv-ministri, drejtor drejtorie apo edhe në nivele të tjera edhe më të ulta.
Të zënë në këtë çark disa opinionistë kundërshtues, për të justifikuar sjelljet 8 vjeçare të Berishës, thonë pa hezitim se ai, Saliu kishte të drejtë në këtë mënyrë sjellje pasi mirditasit janë treguar të pa besë me të, duke përdorur si argument të vetëm rastin Zef Brozi. Sipas këtyre analistëve, Sali Berisha e çoi Brozin në detyrën më të lartë të shtetit, në postin e kryetarit të gjykatës supreme, që në atë kohë njihej si Gjykata e Kasacionit, por ai i doli kundër me vijën e sjellës së tij, pasi mori këtë detyrë. Edhe pse ky argument ka rreth 18 vite që përdoret, mburoja e sajuar me këtë rast është kthyer në një llamarinë tejet të ndryshkur, aq sa përdorimi i saj në kohë të gjatë është thjesht të gjesh një argument, sado që është i pa vërtetë, por mbi të gjitha të mos kesh asnjë vizion. Në logjikën e këtyre mjeranëve i bie që mirditasit e djathtë qënkan të pa besë, pasi me dhjetëra figura të tjera mirditase gjatë pushtetit të së majtës prekën majat e qeverisjes dhe nuk u treguan të pa besë.
Në fakt Zef Brozi hyri në politikë shumë herët në vitin 91, si pedagog i drejtësisë duke u rreshtuar në krah të ndryshimeve demokratike. Në zgjedhjet e vitit 1992 ai mori mandatin e deputetit të Mirditës në emër të Partisë Demokratike. Pas kësaj politikisht u tregua po aq i besës me Berishën duke votuar çdo ligj të asaj qeverisje, madje duke shpikur të vetmen akuzë me të cilën mund të burgosej kreu i opozitës Fatos Nano, akuzën e shumë debatuar për përfitim në favor të palës së tretë pasi asnjë argument nuk qëndronte për përfitim të drejtpërdrejtë, aq më teper kur bëhej fjalë për arka me lëng dardhash apo mollësh, sjellë nga një kompani italiane në formë ndihmash, e njohur me emrin Levante Co.
Po kalimi i Brozit në detyrën e kryetarit të Kasacionit e çonte në tjetër pozicion, jo më në atë të politikani akuzues, por në profesion ligjor, pedagog i së cilës kishte qenë prej shumë vitesh, pra aty ku kërkohej besë në zbatimin e ligjit dhe kushtetutës. Se si rrodhën ngjarjet asokohe për të gjithë opinionin janë të ditura, pasi besëpreri Zef Brozi me një lëvizje spektakolare u morr në besë, pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Janë pikërisht SHBA-të që pas mbështetjes së madhe për demokracinë shqiptare, mbështetjes së pakufishme për forcat e para demokratike në vend që kryesoheshin nga PD-ja, mbanin sytë hapur dhe kishin filluar të shfaqnin dyshimet e para për deformime të rënda të demokracisë. Ndoshta për të mos vepruar hapur dhe për ti ruajtur demokratët tek të cilët akoma kishin besim se mund të korrigjohen, amerikanët kishin drejtuar mesazhe per kreun e shtetit të asaj kohe, pikërisht përmes Zef Brozit gjatë dy vizitave të tij në SHBA.
Inati i PD-së me Brozin, inat me Amerikën apo besëprerje me Mirditën
Pikërisht fenomeni Brozi duhet parë jo si ndryshim i vijë sjelljes së Sali Berishës me mirditasit siç predikon ditë e natë ky soj opinionistësh, por faktet e shumta tregojnë se Zef Brozi ishte pikënisje e një sherri të gjatë mes Berishës dhe amerikanëve. Pikërisht në atë kohë Partia Demokratike nis serinë e sulmeve, ndonëse sulme donkishoteske ndaj SHBA-ve, kur bëhet fjalë me një fuqi aq të madhe të demokracisë botërore.
Të gjithë janë fokusuar nga deklaratat po aq donkishoteske të ish-kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, e ashtuquajtur zonjë e hekurt të cilën vetë shkodranët ditën që pjesën e hekurt të saj në mënyrë plebishitare e çuan për skrap në zgjedhjet e 23 qershorit. Në mënyrë nervoze dhe të pa kontrolluar, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu ajo e quan Brezhnjev të kohës së shkuar, madje nuk heziton të merret me gjatësinë fizike dhe ngjyrën e lëkurës. Një deklarim i tillë mund të bëjë efekt te një pjesë obskurantiste brenda radhëve të klanit të saj në partinë ku militon, por nuk mund të bëjë aspak efekt në kombin amerikan i cili problemet fizike apo racore i ka zgjidhur shumë herët, që në kohën e Martin Luter Kingut, ndërsa Shqipëria e epokës së Jozefinës vazhdon të bëhet gazi i botës, me sjelljet ndaj një kategorie njerëzish me ngjyrë që rropaten në metropol me tenda në trotuare.
Por edhe se opinioni është fokusuar në këto deklarata anti-Arvizu, nuk harrojnë se z. ambasador nuk është i pari që është vënë në sulmin e hanxharëve të PD-së. Të gjithë kujtojnë sulmet dhe ironizimin ndaj ish-ambasadores amerikane Marisa Lino të cilën kuzhina mediatike e PD-së e krahasonte me Suden, duke ju referuar ngjyrës, por në fakt sulmet vinin për shkak të sjelljes së saj si përfaqësuese e demokracisë amerikane, larg të qenurit ushtare e PD-së. Po ashtu, nuk është vështirë të kujtohen perversitet shpifëse ndaj ambasadorit amerikan Jozeph Limpreht. Jo më pak guzhina mediatike e PD-së ka punuar kundër ish-ambasadorit amerikan Xhon Uidhers, duke i atashuar fyerje dhe sulme monstruoze, për të vijuar me ambasadorin aktual Aleksandër Arvizu, sulmet ndaj të cilit nuk janë vetëm nga Jozefina Topalli, por edhe nga eksponentë të tjerë të maxhorancës super të tkurrur për katër vitet e ardhshme.
Edhe pse mundohen të bëjnë diferencën ndaj ambasadorëve me qeverinë e kombin amerikan, në më shumë se një rast përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe diplomacisë amerikane kanë saktësuar se ambasadorët kanë mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane dhe në asnjë rast nuk kanë vepruar në kundërshtim më vijën që ndjekin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Parë në këtë këndvështrim, për opinionin publik është krejt e pa qartë se si këta politikanë, por edhe disa të tjerë që besojnë verbërisht te këta politikanë i janë bashkuar korit të komunistëve kudo në botë që as më shumë e as më pak prezantojnë të njëjtat sulme mediatike kundër SHBA-ve, në sintoni të plotë me këta zëra brenda PD-së së Shqipërisë. Si është e mundur që janë kaq të verbër dhe nuk shikojnë se me këto sjellje të shëmtuara anti-ambasadorësh amerikanë, nuk bëjnë as më pak e as më shumë, por i bashkohen korit më anti-demokratik në botë, që prihet nga ekstremistët talebanë dhe shumë lloj ekstremizmave të tjerë. Kaq shumë u ka dhimbsur rrotacioni i pushtetit, aq sa nuk kontrollojnë dot instinktet e injektuara antiamerikane, kur dihet çfarë Amerika ka bërë për shqiptarët, sidomos në fillim shekullin dhe fund shekullin e kaluar, me mbajtjen në këmbë të shtetit shqiptar dhe çlirimin e Kosovës, pa folur këtu për faktin se si kampion i lirive njerëzore në botë, ka një kontribut të çmuar në çrrënjosjen e komunizmit, dhe vendosjen e demokracisë.