E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria çka qenë, çështë e çdo të bëhet

Nga Prof. Dr. Seit SHALLARI

Seit.jpgKryeministri Rama dhe qeveria e tij shigjetëroj në territorin, plagën më të maisur të tranzicionit shqiptar si thembrën e Akilit. Megjithëse, pas më shumë se një shekulli, mendoj se vizioni Shqipëria e gjeneratës tjetër ngjason me doktrinën e Sami Frashërit (1900), Shqipëria çka qenë, çështë e çdo të bëhet.

Teorikisht menaxhimi i territorit do të thotë ti japësh territorit nëpërmjet strategjive, planeve dhe programeve zhvilluese me fuqi ligjore një funksion të caktuar në kohë dhe hapësirë.

Vëmendja që po i kushton mazhoranca e re territorit synon të rrëzojë barrierën më të fortë kundra zhvillimit, krijuar gjatë së djeshmes. Në fakt, territori është pika më e fortë nga ku duhet filluar për të projektuar zhvillimin e qëndrueshëm në afat mesëm dhe në afatgjatë.

Këtë e vërteton eksperienca e vendeve të lindjes (Poloni, Hungari, Çeki, Sllovaki, Slloveni etj) që kapërcyen për një kohë të shkurtër vitet e tranzicionit e u bënë pjesë e BE dhe tashmë prej më shumë se një dekade e bazojnë zhvillimin e tyre në plane afatgjata zhvillimi në nivel kombëtar dhe rajonal.

Vetëm në këtë mënyrë,modeli ekonomik i zhvillimit mund të harmonizojë e të respektojë interesat midis të sotmes dhe të nesërmes, interesit publik dhe atij privat. Ky moment duhet të shënojë ndarjen nga tranzicioni dhe ti hapë rrugë zhvillimit të qëndrueshëm.

***

Gjuha e ëmbël Shqipe e përcakton nocionin e territorit me dy fjalët e para që mëson njeriu kur vjen në jetë: mëmë-dhe e — at-dhe. Sipas Sami Frashërit: Shqipëri i thonë gjithë atij vendi, tek rrinë shqiptarët. Ata janë m`i vjetër` i kombeve t`Evropës. Malli për Shqipërinë e frymëzon Çajupin të gdhendë vargjet: mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka, ku kam dashur mëm’e atë, ku më njeh dhe gur’ i thatë.

***

Të gjith gjallesat luftojnë midis tyre, ndajnë territorin dhe burimet e jetesës. Në dallim nga gjallesat e tjera njeriu si specie superiore lufton për sundimin e botës. Popujt kanë luftuar dhe ende luftojnë për territore. Jemi dëshmitarë të luftërave për zotërimin e territoreve të pasura me naftë ose burime të tjera.

Në kuptimin më të thjeshtë, menaxhimi i territorit ose hapësirës është mënyra e sjelljes së njeriut ndaj natyrës. Historia provon se mosrespektimi i ekuilibrit hyjnor njeri-natyrë në shumë raste ka çuar në shkatërrim të pakthyeshëm të vlerave deri në shfarosje të qytetërimeve të rëndësishme.

Shqiptarët janë me shumë fat: kemi fusha, pyje, male, lumenj, burime ujore, pasuri të rralla mbi e nen Dhe. Fatkeqësisht, në Shqipëri, mbas Luftës së Dytë Botërore u instalua një nga format më të egra të regjimeve diktatoriale. Ato vite territori u zhvillua bazuar në parimin ku lind do të vdesësh, u krijuan qendra të banuara duke imituar kolkozet ruse ose modele kineze në funksion të interesave të regjimit. U përdor territori në funksion të luftës imagjinare, u ndërtuan tunele dhe mijëra bunkerë, gjë e pa parë dhe njohur më parë. U shkatërruan pyjet, lagunat dhe për të përfituar tokë buke.

…….

Në vitet 1990, shqiptarët lanë mbrapa skllavërinë komuniste shumë të varfër, të hutuar, pa eksperiencë demokratike për shkak të izolimit të hekurt 50-vjeçar. Pasojat e tranzicionit shqiptar mbi territorin janë të rënda. Askush nuk e di faturën reale. Mjafton të udhëtosh me makinë në akset kryesore të vëndit; nuk ka më dallim midis zonës së urbanizuar dhe zonës rurale, gjithkush që ka dash ka ndërtuar në tokën e vet. Rrugët e sapondërtuara janë çarë për interesa të individëve. Pusetat pa kapak janë kurthe të rrezikshme në mes të rrugës.

Mijëra ha sipërfaqe tokë bujqësore është shpërdoruar, lumenjtë janë gërryer për inerte dhe ndotur nga mbetjet,hektarë mijëra pyje janë prerë, llaç e beton në zonën bregdetare, sa më keq e sa më shëmtuar. Resurse me vlerë të pallogaritshme tashmë konsiderohen të humbura. Për më shumë, qindra miliona euro kapital financiar ka shkuar dëm.

***

Në vendin tonë institucionet që ngarkon ligji për menaxhimin e territorit deri më sot kanë qenë të dobëta, të pa përkrahura politikisht e për rrjedhojë nuk kanë mundur të jenë gardianë të ligjit. Gjatë këtyre viteve,në shumë raste institucionet janë drejtuar nga militantë që nuk e kanë marrë vesh çfarë shkruajnë e çfarë firmosin (betonizim pa kufi, ndotje e pa kontrolluar, prerje të pyjeve, gjueti pa kriter, gërryerje të lumenjve dhe maleve etj..).

Nga ana tjetër, në Shqipëri gjen specialistë ose ekspertë të fushave të ndryshme që kanë diploma dhe formim dinjitoz, që flasin disa gjuhë të huaja por fatkeqësisht ata janë të pa punë ose në rastin më të mirë menaxherë lokalesh. Ndërkohë që pehlivanë me diploma pa pikën e lidhjes ju kanë zënë vendin.

Menaxhimi i territorit nuk është thjeshtë dhe vetëm menaxhim i zonës urbane. Sigurisht, këtu janë interesat më të mëdha financiare dhe konfliktet më të dukshme. Interesat korruptive financiare kanë mposhtur institucionet dhe kanë neglizhuar ligjet. Babëzia ka arritur kulmin. Vazhdon të betonizohet pa kriter. Qindra shtesa katesh, shtesa e shtesa pa fund.

**

Por a mund të bëhet hopi dhe ti hapet rrugë ndryshimit të shumë pritur. Sigurisht që është e mundur. Mjafton të respektohen ligjet dhe rregulloret, të zbatohen disa standarde universale që datojnë e zbatohen në vendet e zhvilluara para qindra vitesh: p.sh. në fillim urbanizo e më pas ndërto, mos betonizo më shumë se 50% të sipërfaqes, ndërtesat të mos kalojnë lartësinë e pemëve, ruaj traditën, ruaj burimet ujore dhe vegjetacionin, respekto pejsazhin, kompenso dëmet mjedisore etj.

***

Modelet e suksesshme që ofron bota e zhvilluar janë të ndryshme. Ligjet dhe rregulloret ekzistojnë, mund të përmirësohen dhe duhen zbatuar. Përcaktimi i prioriteteve, hartimi i planeve dhe programeve të zhvillimit të vendit duhet të bëhet me kujdes. Është e rëndësishme të nxirren mësime nga gabimet e bëra dhe të ruhet çdo e mirë e krijuar gjatë këtyre viteve.

Shqiptarët dhanë besimin dhe presin që vizioni i Kryeministrit Rama të bëhen realitet. Pse jo edhe ëndrra e Sami Frashërit dhe rilindasve të tjerë. Suksesi i ndryshimit të Tiranës të mbuluar nga kioskat dhe zhytur në plehra, vetëm disa vite më parë ishte prova dhe sfida e parë.

Bonne chance zoti Kryeministër!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›