Ferguson, largohu

Përkrahësit e Manchester Unitedit që janë kundër pronësisë së klubit nga familja Glazer kërkojnë nga Sir Alex Fergusoni të sakrifikohet dhe të ofrojë dorëheqje në shenjë proteste.
Kjo ide ka ardhur pas një takimi të disa grupeve të tifozëve që kanë përcaktuar planin e tyre për largimin e familjes Glazer. Manchester United Supporters Trust, që zhvilloi takimin para fitores 3-0 kundër Burnleyt, të shtunën, po ashtu janë duke shfrytëzuar mundësinë të kërkojnë nga Eric Cantona të jetë drejtues i tyre, ndërsa planifikojnë të organizojnë një protestë para ndeshjes në Ligën e Kampionëve kundër Milanit më 10 mars.
Më tepër se 300 tifozë morën pjesë në bisedime, ndërsa Johnny Flacks, anëtar dhe ish-kryetar i Asociacionit të Pavarur të përkrahësve të Manchester Unitedit, propozoi që t’i shkruhet një letër Fergusonit dhe të kërkohet që ai të japë dorëheqje nga posti i menaxherit.
“Kjo nuk është kampanjë kundër Sir Alex Fergusonit. Por, ai ka theksuar se është socialist, njeri i popullit, andaj duhet të jetë i brengosur për atë që është duke ndodhur. Do të funksiononte vetëm nëse mijëra njerëz i dërgojnë nga një kopje të kësaj letre për Fergusonin duke e njoftuar për frikën tonë, nëse Glazer mbesin në kontroll, trashëgimia e tij do të shkatërrohet. Ne nuk e dëshirojmë këtë, e sigurisht se as ai”, tha Flacks për të përditshmen angleze, The Guardian.
Takimi i tifozëve ishte përcjellë nga këngët anti-Glazer në Old Trafford gjatë ndeshjes kundër Burnleyt, ndërsa kujdestarët kishin konfiskuar një transparent që shkruante “Dashuri për United, urrejtje për Glazer”. Ferguson gjithmonë ka përkrahur pronarët amerikanë prej kur familja nga Florida e mori kontrollin e klubit, por ai kishte shprehur brengën e tij para se ata të hyjnë në fuqi dhe tani operon nën gjendje të kufizuar financiare.
Glazer thuhet se janë duke konsideruar mundësinë e shitjes dhe dhënies me qira të stadiumit Old Trafford dhe qendrës stërvitore në Carrington dhe mendojnë të marrin hua 500 milionë funta, pas borxhit prej 700 milionë funta që ka përcjellë ardhjen e tyre më 2005.
“Ky është skenar i çmendur. Jemi duke folur për menaxherin që ka bërë shumë për klubin dhe ka krijuar një bishë që është Manchester United. Por duhet të mendojmë për të ardhmen dhe tani jemi në situatë të vështirë, ku një klub që përkrahet nga 70 mijë tifozë është duke humbur para”, theksoi Flacks. Një protestë para ndeshjes me Milanin mund të përfshijë përpjekje për të lënë të zbrazëta disa sektore të stadiumit apo hyrjen me vonesë prej pesë ose 10 minutash. Po ashtu do të fillojë një kampanjë për nxitjen e blerësve të biletave sezonale të mos vazhdojnë abonimin e tyre derisa Glazer të jenë në drejtim.