Ros Braun nuk ka dyshime: Shumaker do të jetë kampion
Formula 1
Ros Braun dhe Mikael Shumaker së bashku kanë fituar shtatë tituj. Tashmë, njeriu që krijoi surprizën BraunGP dhe arriti ta bindte pilotin gjerman të rikthehej në pistë me Mercedes GP, është i bindur se 41-vjeçari do të fitojë edhe titullin e tetë botëror. Gjatë një interviste të dhënë për “Bild”, Braun u shpreh i sigurt se Shumi do të jetë konkurrent për Botërorin 2010: “Nëse do të vendosja bast për katër kampionët e botës që do të garojnë në këtë sezon në F1, Hemilton, Alonso, Baton e Shumaker nuk do të kisha dyshime: Mikael Shumaker do të fitojë titullin”. Shkëputja e gjatë e Shumakerit dhe ndryshimi i makinave kanë bërë që edhe Braun të mos mendojë se ish-piloti i Ferrarit do të fitojë prej garës së parë. “Kampionati është i gjatë. Nuk mendoj se do të ketë menjëherë sukses. Do t’i nevojiten disa gara për t’u përshtatur me makinat e reja dhe me pilotët e tjerë. Por, pika më e fortë e Mikaelit ka qenë se gjithmonë arrin të mësohet me ndryshimet dhe përshtatet shpejt me të gjitha situatat. Për më tepër, ai është shumë entuziast për këtë aventurë të re”, shpjegoi Braun.
#